
Situata në Kosovë është goxha e qartë për qeverinë e re
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër, shumë shpejt mund të krijohet Qeveria e re e Kosovës. Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar që ta dërgojë emrin e mandatarit dhe kjo ka prodhuar një situatë të re.
“Mendoj se çështja është jo aq e lehtë, por e fokusuar. Kushtetua e Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014 e ka sqaruar se presidenti ka të drejtë t’ia japë mandatin një partie tjetër nëse partia më e madhe dështon ta krijojë qeverinë. Situata në Kosovë është goxha e qartë. Zotëri Kurti ka refuzua me dërgu mandatar dhe po refuzon me dërgu mandatar. Tani Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë se cila ka qenë koha ose a janë në rregull rrethanat në të cilat presidenti e ka mandatu zotërinë Hoti për kryeministër. Zotëri Kurti e ka bërë të qartë se nuk dëshiron me dërgu mandatar, ose don me mbet në detyrë vetë ose do me shku në zgjedhje. Ndërsa, Kushtetua i jep të drejtë presidentit dhe Kuvendit me tentu me kriju qeveri të re. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese qeveria mund të krijohet shumë shpejt”, ka thënë Gjini.
I pyetur se a ka gjasa që marrëveshja LDK-AAK-Nisma të shihet si mundësi për një koalicion parazgjedhor, Gjini ka thënë se për këtë çështje nuk kanë biseduar, kurse nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me LDK-në në nivelin lokal. “Nuk kemi biseduar për këtë çështje. Nëse një situatë e tillë ndodh atëherë të gjitha subjektet politike i shohin opsionet e veta. Besoj se nuk ka arsye të mos ndodhë, por do të shohim në të ardhmen”, ka thënë nënkryetari i AAK-së.
Nënkryetari i AAK-së ka folur edhe për projektin e autostradës së Dukagjinit e cila ka qenë edhe ndër kërkesat kryesore të AAK për marrëveshjen me LDK-në.
“Sivjet është e pamundur me fillu një projekt i tillë. Është bërë vonë, ka problem me financa. Edhe sikur mos të kishin problem me financa është bërë vonë. Është votu buxheti pa autostradën e Dukagjinit. Ne kemi biseduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës që t’i shohim mundësitë e ndërtimit të kësaj autostrade, ta bëjmë me kosto më të ulët, sido që të jetë e mundur. Dukagjini ka nevojë jetike për këtë autostradë. Është gjysma e Kosovës që ka mbetur në rrugë të viteve ‘60, ‘70. Unë mendoj se gabim ka qenë insistimi që nuk duhet të ndërtohet. Edhe ne dëshirojmë që të bëhet me kosto sa më të vogël. Nuk dëshirojmë kosto shtesë”, ka theksuar ai.