Situata reale në Kosovë dhe miopia politike e Ramës

27 dhjetor 2019 | 19:13

Nga Bedri Islami

“Minishengeni” i Ramës, të cilin as ai vetë ende nuk e di se çfarë është dhe ku do të shkojë, ka zgjuar aq shumë pasione, britma, dalldi nacionaliste, rrahje gjoksi dhe rrëmujë saqë vetëm shefi i qeverisë mund ta kishte llogaritur.
Si kurrë më parë, në gjithë këtë zallamahi u përfshinë strukturat e Kosovës, që nga Akademia e Shkencave, media të ndryshme që kurrë nuk kanë pasur një qasje pozitive ndaj Shqipërisë, aq më tepër kur në pushtet ka qenë e majta; figura interesante dhe të dalë nga hiçi, politikanë të klasës të parë dhe shefi i qeverisë, Haradinaj; u rithirrën në ndihmë fjalët e njohura,” tradhti”, “tradhtar”, u bënë gjithfarë thirrjesh, u ngritën hipoteza, gjithçka u duk sikur, jo larg, por të nesërmen e një samiti budalla, Kosova do të shitej, ajo do të copëtohej, Serbia do të ishte përsëri në Kosovë etj.

Së pari, as Edi Rama, as Haradinaj, as Thaçi e as Kurti nuk kanë as tagër e as nuk munden të prekin një pëllëmbë Kosove. Edhe sikur të ketë një qeveritar në Kosovë apo në Shqipëri që do të synonte shitjen e saj, kjo gjë ka marrë fund një herë e mirë, që nga qershori i vitit 1999. Ai që nuk e di, ka gjithë kohën e duhur për ta mësuar e për të mos e harruar. Kosova, aq sa është meritë e lëvizjes çlirimtare dhe e mendimit politik racional, aq është, në mos më tepër meritë e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kufijtë e saj, një ditë, ndoshta do të mund të zgjerohen, por kurrsesi të rrudhen. Prova e bërë në definimin e kufirit me Malin e Zi tregoi se vetëm një grupim i mbledhur rreth fuqive të mëdha mund të bëjnë gjëma të tilla, por njerëz të veçantë nuk e kanë atë tagër e as atë forcë.

Këtë e dinë politikanët e Kosovës, disa nga të cilët kanë qenë ministra apo të përkëdhelur në regjimin e Millosheviqit, e dinë medialë që kanë marrë fonde e vazhdojnë të marrin fonde nga anale serbe; e dinë tregtarë që e kanë mbushur Kosovën me mallrat serbe; e dinë qeveritarë që janë me gjysmën e kokës të kthyer nga Beogradi, e dinë akademikë, që, jo shumë kohë më parë kanë qenë anëtarë të Lidhjes Komuniste të Kosovës, një aneks i Lidhjes Komuniste të Serbisë, apo edhe bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb.
Kam dëgjuar thirrje nga intelektualë që 20 vite më parë mallkonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, nga gazetarë mistrecë që shkruanin me ironi për këtë, sa që deklaronin, kur vriteshin heronjtë e ardhshëm të saj se “UÇK-ja po përvetëson viktimat e dhunës serbe”, ashtu si kam ndjerë shqetësimin e natyrshëm të disa njerëzve, statura e të cilëve të ngjall besim e shpresë.

Kosova, politika, media dhe mistrecët e saj iu futën luftës kundër “minishengenit” dhe Ramës, me një turr të tillë që asnjëherë nuk i janë vërsulur hordhive serbe nga të gjitha anët; ata që, në vitin 1998 ngritën grupe pune e komisione të veçanta për të hetuar “krimet “ e luftës së UÇK-së, por kurrë të krimeve serbe mbi Kosovën.
Nëse politika serbe dhe njerëzit e saj në Kosovë kanë pasur dhjetëra qëllime, njërin prej tyre e kanë arritur që tani: me “ndihmën” e miopisë politike të Ramës dhe duke vënë në lëvizje falangat e tyre në lobin serb , që nuk vegjeton në Prishtinë dhe Tiranë, ata kanë bërë një ndarje të hatashme, të dhimbshme dhe kanë ngritur një stuhi, e cila, nuk po ngihet rastësisht.

Në Kosovë, me 6 tetor janë bërë zgjedhjet parlamentare dhe po bëhen tre muaj që nga ajo ditë, e cila u shpall si mësim, por që nuk paska qenë asgjë tjetër, veçse vazhdimi i mentalitetit shqiptar mbi politikën.
Në tre muaj, ndërsa i vërsulen me të gjithë kthetrat Edi Ramës, nuk kanë arritur të bëjnë më të domosdoshmen, qeverinë e re, dalë nga këto zgjedhje.
Kosova është në gjysmë zëri; shefi i qeverisë është në largim, dhe, megjithëse nuk besoj se Gjykata Speciale do të ketë të papritura për të, përsëri ai është në pritje të qeverisë së re. Qeveria ka rënë prej afër një gjysmë viti dhe korrupsioni po gërryen shtetin deri në thelb. Dy partitë kryesore po kapen prej zhelesh politike, duke arnuar programet, sipas një parimi të pakuptimtë: të jap 50 për qind të programit tim, më jep 50 për qind të programit tim; të jap dy ministra dhe më jep presidentin; të jap kryetarin e parlamentit dhe më jep dy nënkryetarë. Posti i presidentit të ardhshëm është vënë në tryezë si një kurban; kush do e marrë dhe kush do e lërë. Rinumërimi i votave tregoi se tek të gjithë liderët kryesorë ata ishin shtuar, nganjëherë paradoksalisht, duke dëshmuar se sistemi i listave të hapura nuk është asgjë tjetër, veçse dhunimi i votës dhe dalja e të fortëve. Askush nuk e dënoi këtë rritje artificiale të votave…të gjithë po sulen drejt ndarjes së posteve.
Për ta krijuar qeverinë e re të Kosovës, sidomos tani kur dy liderët kryesorë e kanë më të lehtë të flasin përmes ‘fb’-ve sesa me njëri-tjetrin, nuk u ka faj as Edi Rama, as qeveria e së majtës dhe tërmeti, për përballimin e pasojave të para u shquat.

Partitë politike në Kosovë e kanë më të lehtë të sulmojnë Edi Ramën, të kërkojnë kthimin e përparësive nga ta duan e si ta duan, se sa të formojnë qeverinë e re, nga e cila shumë presin e jo shumë besojnë. Një përzierje e verës së paprovuar me uthullën e stërprovuar nuk ka shenja të dobishme për të ardhmen dhe , si do që të jetë, Albin Kurti do të ketë ballë vetes një detyrë më të vështirë, shumë më të vështirë, se sa dhjetëra e dhjetëra protesta, manifestime dhe përleshje që ka bërë.
Koha e provës së tij nuk varet nga halucinacionet e Edi Ramës dhe as nga dalldia nacionaliste, që herë pas here, në vite të shkuara, njerëz pranë tij e kanë ndezur.
Albin Kurti është lideri më i votuar në Kosovë, por nuk ka ndodhur asnjë mrekulli. Me 240 mijë votat ndaj tij nuk mund të bëhesh paternalist, as ndaj forcave të tjera politike në Kosovë, e as ndaj shtetit shqiptar, i cili, edhe kur Edi Rama ia fut kot, si në këtë rast, ka forcë të zgjohet nga ajo që e ka në thelbin e tij, vetëdijen kombëtare.

E lehtë është të merresh me shtetin shqiptar, shefin e qeverisë, që nuk po bën më shumë sesa kanë bërë pararendësit e tij dhe se sa mund të bëjnë pasrendësit e tij, nëse ndonjë herë vijnë në pushtet. Ai nuk ka bërë më shumë se sa liderët e djeshëm të Kosovës e dhëntë Zoti të mos e bëjnë edhe liderët e rinj.
Në politikë, ndryshe nga sa ndodh në luftë, gjithçka fillon nga pragu i shtëpisë, pra nga vetja. Të mos shikosh veten, duke ia ngulur sytë tjetrit, në fund të fundit, rëndimi do të jetë i yti.
Qeveria e Kosovës duhet të ngrihet sa më parë, në mënyrë që edhe qëndrimet e saj, zyrtare, të një lidershipi të ri, të merren seriozisht, të kenë epërsinë e tyre dhe të jenë më shumë të studiuara se sa britmat në dhomat e befta të nacionalizmit.
Dhe, kur këto të fundit bëhen nga një sërë mediale e politike, akademike e rrugore, nga ata që u puthnin gjithë qejf dje e flirtojnë gjithë afsh sot, atëherë e gjithë kjo të ngjall krupën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ata janë mes futbollistëve më të vlerësuar në kombëtaren zvicerane,…