Situatë e qetë në komunat në veri të Kosovës

28 maj 2023 | 10:47

Policia e Kosovës tha se në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, situata është e qetë.

Veton Elshani nga Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se situata në veri është stabile dhe se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Ai që shtoi se nuk ka pasur asnjë incident gjatë natës.

Më 26 maj, në këto tri komuna grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, e cila asistoi kryetarët e rinj shqiptarë që të hynin në zyrat e tyre. Ndërtesat e këtyre komunave paraprakisht janë përdorur nga strukturat paralele serbe.

Policia përdori shok-bomba dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policëve.

Në Zveçan pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve.

Autoritetet në Kosovë kanë mbrojtur vendimin e tyre që kryetarët e rinj të veriut të hynin në zyrat e tyre.

Por, faktori ndërkombëtar e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se këto veprime do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe SHBA-Kosovë.

Veprimet e Kosovës janë dënuar edhe nga Bashkimi Evropian, shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca), ndërkaq NATO ka kërkuar nga të dyja palët që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut.

Serbia ka ngritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të saj, pas trazirave në veri. Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga Beogradi që të ndërpresë dialogun me Prishtinën, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtaren dhe aktoren e famshme, Jennifer Lopez, jemi mësuar ta…