S’ka kuorum në Kuvend, Konjufca kritikon deputetët: Paguheni nga populli
Për herë të dytë brenda javës deputetët janë ftuar në seancë plenare. Në seancën e sotme pritet të shqyrtohen 33 pika të rendit të ditës, ndër to edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentit nr. 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ndonëse në këtë seancë të pranishëm ishin vetëm 59 deputetë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka kuorum për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka kërkuar që këto votime të shtyhen për një seancë tjetër.
Ai ka thënë se deputetët paguhen nga populli për të qenë në seancë.
“59 deputetë në seancë. Deputetët paguhen prej popullit. Po fillojmë me pika të tjera të seancës, meqenëse nuk janë 80 deputetë në sallë për t’i votuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka paraqitur dhe arsyetuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentit nr. 1 të marrëveshjes financiare për IPA 2018, i cili ka thënë se qëllimi i këtij amandamentimi është që të mundësohet rialokimi i një shume prej 1.5 milion euro në kuadër të projektit për ndërrimin e filtrave të termocentralit “Kosova B”.
Në këtë seancë pritet edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për NVM-të.
Po ashtu, në këtë seancë vazhduese në rend dite për shqyrtimi të parë, është edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.
Në këtë seancë pritet edhe përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), si dhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.



