S’ka të ndalur Brooklyn, regjistron fitoren e tetë rresht  

26 shkurt 14:29

Brooklyn Nets nuk ndalen duke e regjistruar fitoren e tetë radhazi, teksa mundi thellë ekipin e Orlando Magic. Duke lënë mënjanë periodën hapëse Nets dominuan pjesën e mbetur të takimit, duke udhëhequr gjatë gjithë kohës në rezultat. Në New York, në “Barclays Center” përpara vetëm 327 spektatorëve franchise nga Florida shkoi tre herë në +10 gjatë 12’ të parë, megjithatë ekipi i Brooklynit ktheu gjithçka që në pjesën e parë duke shkuar në interval me epërsinë e 18 pikëve.

Gjërat precipituan në pjesën e dytë dhe morën përmasa akoma më të mëdha për vendasit, që në çastet e fundit madje prekën edhe avantazhin e 40 pikëve. Fitorja e dytë në po kaq përballje në gjashtë javët e fundit dhe e treta radhazi për skuadrën e Brooklynit në përballjet ndërmjet tyre.

Falë suksesit 129-92 Nets po shijojnë një ecuri pozitive që i mungonte këtij franchise që nga viti i largët 2006, për më tepër ekipi i drejtuar nga Steve Nash ia doli mbanë për të siguruar fitoren e gjashtë rresht pa sulmuesin kryesor Kevin Durant. Kyrie Irving e mbylli takimin me 27 pikë e 9 asistim në diçka më shumë se gjysmë ore lojë, ndërsa James Harden e ndihmoi skuadrën e tij me 20 pikë, 9 topa të rikuperuar dhe 7 asistime. Në këtë mënyrë Nets përmirësuan akoma më tepër statistikat duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me kryesuesit e Philadelphia 76ers. Brooklyni pozicionohet në vendin e dytë në Lindje, me 22 fitore e 12 humbje. Nets kuotohen si favoritë nga “bookmakers”-at për të triumfuar sivjet në këtë konferencë, sidoqoftë për momentin ekipi i Brooklynit mban vendin e dytë gjithashtu edhe në Divizionin e Atlantikut, sepse siç dihet 76ers dhe Nets bëjnë pjesë në të njëjtin grup. Vetë franchise nga Pennsylvania regjistroi fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit, teksa mposhti pa shumë vështirësi në shtëpi ekipin e Dallas Mavericks.

Ekipi teksan udhëhoqi 15-13 dhe 18-16, megjithatë këto ishin edhe dy rastet e vetme kur miqtë e panë veten në avantazh, në këtë takim. Phila shkoi në pushimin mes pjesëve me epërsinë e 16 pikëve, gjithsesi në vazhdim skuadra e drejtuar nga trajneri veteran Doc Rivers administroi me qetësi avantazhin, për të fituar krejt ndeshjen me shifrat 111-97. Në Wells Fargo Center spikati sërish sulmuesi nga kamerunasi Joel Embiid me 23 pikë e 9 rebound, ndërkaq vendasit e kufizuan yllin slloven Luka Doncic në vetëm 19 pikë. Te 76ers Ben Simmons dhe Seth Curry e mbyllën mbrëmjen me nga 15 pikë secili, ndërsa veterani Dwight Howard nga stoli kontribuoi me 14 pikë e 8 topa të rekuperuar. Philadelphia aktualisht udhëheq në Lindje me 22 fitore e 11 humbje, por 76ers kanë gjithashtu edhe një ndeshje për të zhvilluar krahasuar me ndjekësit më të afërt të Brooklyn Nets.

Një ndër ndeshjet më të forta të ditës u luajt në Wisconsin, në Fiserv Forum, ku përpara 1.800 të pranishmëve ekipi i Milwaukee Bucks mundi me shumë vështirësi formacionin e New Orleans Pelicans. Përfundimisht falë triumfit 129-125 ekipi i drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer siguroi fitoren e katërt radhazi për Bucks pas plot pesë humbjeve rresht. Një fitore shumë e rëndësishme për vendasit, për më tepër vetëm tre javë pas humbjes së pësuar në Luizianë, nga skuadra e veteranit Stan Van Gandy.

Lojtari më i vlefshëm i dy sezoneve të fundit Giannis Antetokounmpo shkëlqeu në parket me 38 pikë e 10 rebound, ndërsa në krahun tjetër te Pelicans spikati si zakonisht përzgjedhja e parë e draftit të vitit 2019 Zion Williamson me 34 pikë, ndërkohë një dorë të mirë vendasit e morën edhe nga Khris Middleton që realizoi 31 pikë në 39’ lojë. Milwaukee renditet në vendin e tretë në Lindje me 20 fitore e 13 humbje, ndërkohë në Konferencën e Perëndimit Los Angeles Clippers pësuan humbjen e tretë në pesë sfidat e fundit, teksa u mundën thellë në Tennessee 122-94 nga Memphis Grizzlies.

Pavarësisht kësaj disfate ekipi i drejtuar nga trajneri Tyronn Lue klasifikohet në vendin e dytë në Perëndim me 23 fitore e 11 humbje, ndërsa rivalët e Los Angeles Lakers që janë edhe kampionët në fuqi në NBA për momentin renditen një vend më poshtë, me 22 fitore e 11 humbje. /SS/

Rezultatet

Milwaukee Bucks – New Orleans Pelicans   129 – 125
Denver Nuggets – Washington Wizards        110-112
Memphis Grizzlies – Los Angeles Clippers   122-94
Brooklyn Nets – Orlando Magic                      129-92
New York Knicks – Sacramento Kings           140-121
Philadelphia 76ers – Dallas Mavericks           111-97

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 50 nxënës kanë dalë në protestë në Graçanicë për…