Skandaloze: Eksperti fajëson tymin e veturës së policisë për vdekjen e Floydit

16 prill 2021 | 16:05

Një ekspert mjekësor që ka dëshmuar në mbrojtje të policit të akuzuar për vrasje, Derek Chauvin, ka thënë se beson se vdekja e George Floydit ishte rezultat i sëmundjes së zemrës dhe në të mund të ketë ndikuar edhe tymi i veturës së policisë, afër të cilës ndodhej i shtrirë në tokë.

Dr. David Fowler nuk ishte shumë i qartë, kur ka deklaruar se mënyra e vdekjes do të mund të vlerësohej si vrasje, por ai vetë do ta cilësonte si “vdekje e pavendosur”.

Sipas këtij eksperti, Floydi ka pësuar çrregullim të papritur të ritmit të zemrës dhe përdori terma mjekësorë për ta përshkruar ngushtimin e rrugëve të gjakut dhe problemeve të zemrës që shkaktohen nga shtypja e lartë e gjakut.

Fowleri ka thënë se mënyra sesi Floydi është përleshur me policët që mundoheshin ta fusnin në veturën e policisë ka mundur t’i shkaktojë atij stres që më pas ka çuar në aritmi kardiake, shkruan “Reuters”.

Ai ka thënë se në gjakun e Floydit janë gjetur substancat fentanil dhe metamfetaminë, ndërsa helmimi me monoksid karboni nga tymi i veturës së policisë gjithashtu mund të ketë ndikuar në vdekje.

I pyetur se pse polici Chauvin dhe oficerët tjerë nuk janë lënduar nga helmimi me monoksid karboni, eksperti ka thënë se kokat e tyre kanë qenë më larg nga burimi i tymit në krahasim me kokën e Floydit dhe se ndoshta për shkak të moshës më të re. Polici ishte vetëm dy vjet më i ri se Floydi në kohën e incidentit.

Sidoqoftë, disa ekspertë tjerë, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Minnesota, kanë vlerësuar se Floyd ka pasur shtypje të lartë të gjakut dhe ka përdorur ilaçe kundër dhembjes, por ato nuk e kanë shkaktuar vdekjen.

Sipas tyre, vdekja është shkaktuar nga pamundësia për thithjen e sasisë së mjaftueshme të oksigjenit për shkak të mënyrës se si policia ia kishte shtypur qafën të arrestuarit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten në mbrëmjen kur lojtarët e Romës festonin kualifikimin…