
“Skaz”-i i adoleshentëve
David Lodge
Plaka Sally nuk fliste shumë përveç kur shfrynte lidhur me Luntsët, sepse ishte e zënë duke përgjuar e duke u lazdruar. Pastaj, krejt papritur, në anën tjetër të hollit, e pa një idiot që e njihte. Një djalë me një palë aso kostume stofi gri të errët e me jelekë me katrorë. Tamam Ivy League. Punë e madhe. Ai rrinte afër murit, pinte duhan si i trentë dhe dukej i mërzitur për dreq. Plaka Sally tha: “E njoh atë djalë prej diku”. Kudo që shkonte ajo gjithmonë njihte dikë ose mendonte se e njihte. E përsëriste këtë pa pushim derisa u mërzita për dreq dhe ia ktheva: “Nëse e njeh, pse nuk afrohesh t’ia japësh një puthje të madhe. Ish kënaq”. U prek kur i thashë kështu. Megjithatë, ai dikur e vuri re, u afrua dhe e përshëndeti. Ish dashtë ta shihje si u përshëndetën. Kishe menduar se nuk janë parë me njëri-tjetrin që njëzet vjet. Do të kujtoje se janë larë në të njëjtën vaskë ose diçka ngjashëm kur kanë qenë fëmijë. Miq të vjetër. E mundimshme. Pjesa më qesharake ishte se ata me siguri janë takuar vetëm një herë në ndonjë festë të shtirur. Në fund, kur mbaruan së jargavituni, plaka Sally na prezantoi. Emri i tij ishte George diçka – as që më kujtohet – dhe ndiqte Andoverin. Fort punë e madhe. Vetëm ta kishe parë kur plaka Sally e pyeti se a i pëlqeu shfaqja. Ishte tip shtinjaku që, kinse, duhej t’i jepte vetes hapësirë kur i përgjigjet pyetjes së dikujt. U tërhoq prapa dhe shkeli këmbën e zonjës pas tij. Me gjasë, ia theu çdo gisht në këmbë. Tha se shfaqja, në vetvete, s’ishte kryevepër, por që Luntsët ishin absolutisht engjëj. Engjëj. Pashë Zotin. Engjëj. Kjo më kalli. Pastaj bashkë me plakën Sally filluan të flasin për njerëzit që i njihnin. Ishte biseda më e shtirur që e ke dëgjuar ndonjëherë në jetë.[1] J. D. SALINGER, Rojë në thekërishte (1951)
Skazi është fjalë tërheqëse ruse (sugjeron “xhazin” dhe “skatin”, si “skat-këndim”, për veshin anglez) që përdoret për të përcaktuar një lloj rrëfimi në vetën e parë dhe përmban karakteristikat e fjalës së folur e jo fjalës së shkruar. Në këtë lloj romani apo storje, narratori është personazh që i referohet vetes me “unë” dhe lexuesit i drejtohet me “ti”. Ai ose ajo përdor fjalor dhe sintaksë karakteristike të të folurit bisedor dhe duket sikur storjen e rrëfen në mënyrë spontane e jo si diçka të shkruar, të ndërtuar dhe të lëmuar me kujdes. Më shumë dëgjojmë sesa lexojmë, sikur e hasim ndonjë person të huaj llafazan në pub apo tren. Është e panevojshme të thuhet se ky është iluzion, produkt i një përpjekjeje të kalkuluar dhe rishkruar kujdesshëm nga autori “i vërtetë”. Stili narrativ që imiton besnikërisht të folurit real do të ishte praktikisht i pakuptueshëm, siç janë transkriptet e bisedave të regjistruara. Por është iluzion që krijon efekt të fuqishëm autenticiteti dhe sinqeriteti, të rrëfimit të së vërtetës.
Për romancierët amerikanë skaz-i ishte një metodë e kapshme për t’u çliruar nga tradita e trashëguar letrare angleze dhe evropiane. Shtysa kryesore u dha nga Mark Twain. “E gjithë letërsia moderne amerikane rrjedh nga një libër i Mark Twainit i quajtur Huckleberry Finn”, tha Ernest Hemingway – një mbivlerësim por, iluminues. Goditja mjeshtërore e Twainit ishte në shkrirjen e stilit të gjuhës popullore bisedore me një narrator të papjekur, një djalë adoleshent të mençur, vizioni i të cilit, për botën e të rriturve, përmbante freski dhe sinqeritet rrëmbyes. Për shembull, ky është reagimi i Huckut për llojet e ndryshme të besimit të krishterë:
Nganjëherë vejusha më vinte me një anë dhe më fliste për Providencën ashtu sa më shkonte lëng prej goje por, mbase, të nesërmen zonjusha Watson me mënyrën e saj m’i rrëzonte prapë të gjitha. Kujtova se ekzistojnë dy Providenca dhe se një djali të shkretë mund t’i dilte mirë me Providencën e vejushës, por nëse zonjusha Watson e fshinte përpara, s’kishte më shpresë për të.
Holden Caulfieldi i J. D. Salingerit është pasardhës letrar i Huck Finnit: më i arsimuar dhe më i sofistikuar, bir i njujorkezëve të pasur por, ashtu si Hucku, është një i ri që ikën nga bota e hipokrizisë së të rriturve, korrupsioni dhe, nëse e përdorim fjalën e tij të pëlqyer, shtirja. Ajo që e tronditë Holdenin është gatishmëria e bashkëmoshatarëve të tij ta adoptojnë sjelljen korruptive të të rriturve. Në rrjedhën e storjes, Holdenie merr të dashurën në matinen e një shfaqjeje në Broadway ku luan çifti i famshëm i aktorëve, Alfred dhe Lynn Lunti. “Plaka Sally” dhe i njohuri që, ndërkohë, i takon në hollë, përshkruhen në këtë fragment si aktrim krejtësisht joautentik i sjelljes shoqërore të të rriturve.
Elementet e stilit narrativ të Holdenit, që e bëjnë të tingëllojë si të folur e jo si shkrim dhe të folurit e adoleshenti, janë mjaft lehtë të identifikueshme. Aty kemi shumë përsëritje (sepse variacionet elegante të fjalorit kërkojnë mendim më të kujdesshëm) sidomos të shprehjeve zhargon si “trullan”, “u mërzit për dreq”, “shtirur”, “punë e madhe”, “më kalli” dhe “plakë” (epitet që përdoret për gjithkënd të afërt pavarësisht prej moshës). Ashtu si shumë të rinj, Holdeni shpreh fuqinë e ndjenjave të tij me ekzagjerim, me anë të mjetit që retorët e quajnë hiperbolë: “pinte duhan si i trentë”, “do të kishte menduar se s’janë parë me njëri-tjetrin që njëzet vjet”, “jargavitej”. Sintaksa është e thjeshtë. Fjalitë zakonisht janë të shkurtra dhe të pakomplikuara. Shumë prej tyre nuk janë të formuara siç duhet, mungon folja e fundme (“Tamam Ivy League. Punë e madhe”.) Ka gabime gramatikore, siç bëjnë shpesh folësit (“Ishte tip shtinjaku që, kinse, duhej t’i jepte vetes hapësirë.”..). Në fjalitë më të gjata klauzolat lidhen bashkë, siç i ndodh folësit, e nuk varen nga njëra-tjetra në struktura të ndërlikuara.
Informaliteti i diskursit të Holdenit është garanci e spontanitetit dhe autenticitetit të tij. Ajo ndihmohet nga biseda e mirëformuar, por pretencioze e Georgeit: “Tha se shfaqja, në vetvete, nuk ishte kryevepër, por që Luntsët ishin absolutisht engjëj”. Shprehja shkurtohet edhe më tej dhe duket e stisur, jepet si ligjëratë e zhdrejtë ose e zhdrejtë e lirë në krahasim me shpërthimin e acaruar të Holdenit ndaj Sallyit, që citohet drejtpërsëdrejti: “Pse nuk afrohesh me ia dhanë një puthje të madhe.”..
Them se stili i rrëfimit të Holdenit përshkruhet mjaft lehtë, por vështirë shpjegohet se si na e mban vëmendjen dhe na jep kënaqësi gjatë gjithë romanit. Sepse, mos të gabohemi, është stili ai që e bën interesant librin. Storja që tregohet është episodike, jopërfundimtare dhe kryesisht përbëhet nga ngjarje të parëndësishme. Megjithatë, sipas kritereve normale letrare, gjuha është shumë e varfër. Salingeri, ventrilokuist i padukshëm që na flet përmes Holdenit, duhet të thotë gjithçka për jetën, vdekjen dhe vlerat themelore brenda kufijve të zhargonit të një njujorkezi shtatëmbëdhjetëvjeçar, duke iu shmangur metaforave poetike, ritmit të periudhave, shkrimit të bukur.
Një pjesë e përgjigjes ka të bëjë, padyshim, me humorin përqeshës të krijuar nga aplikimi i gjuhës “së ulët” të Holdenit ndaj shtirjeve të sjellshme të jetës shoqërore dhe kulturore, të shfaqura nga Sallyi dhe Georgei. Pasaktësia formale e anglishtes së tij është, gjithashtu, burim humori – rreshti më qesharak në fragment është: “Me gjasë, ia theu çdo gisht në këmbë”, shtrembërim i shprehjes “çdo kockë në trup” që është edhe shprehje hiperbolike. Një arsye tjetër është se gjuha e Holdenit është edhe më nënkuptuese sesa që shprehet. Për shembull, në këtë fragment kemi, haptazi, temën e xhelozisë të Holdenit ndaj figurës mashkullore rivale të Georgeit, aq sa pretendohet se Holdeni përbuz rrobat e Ivy-Leagueit që i japin Georgeit status dhe sjellje të sofistikuar. Patosi i situatës së Holden Caulfieldit këtu, por edhe në tërë librin, është me efektiv meqë nuk shprehet me fjalë. Megjithatë, në analizën e fundit ka diçka çuditërisht poetike në këtë prozë, një manipulim delikat i ritmit të të folurit bisedor që e bën veprën të këndshme për t’u lexuar dhe rilexuar. Siç thonë muzikantët e xhazit, ajo vibron.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Të drejtat e botimit, “Armagedoni”.
[1] Përdorimi dialektor është i qëllimshëm.