E ardhmja e një Gjermanie të rrënuar

09 mars 2023 | 08:23

George Orwell

Ndërsa përparimi në Gjermani vazhdon dhe del në pah gjithnjë e më shumë shkatërrimi i shkaktuar nga avionët bombardues aleatë, ka tre komente që gati çdo vëzhgues e gjen veten duke bërë. I pari është: “Njerëzit në shtëpi nuk e kanë idenë për këtë”. I dyti, “Është një mrekulli që ata kanë vazhduar të luftojnë”. Dhe i treti është, “Vetëm mendoni për punën e madhe që duhet për të rindërtuar gjithçka!”

Është mjaft e vërtetë që shkalla e goditjes së Gjerma­nisë nga aleatët nuk është realizuar e plotë as tani në këtë vend, dhe forca e saj në thyerjen e rezistencës gjer­mane është ndoshta shumë e nënvlerësuar. Është e vështirë t’i përditësosh raportet për luftën ajrore dhe njeriu i zakonshëm mund të falet nëse imagjinon se ajo që i kemi bërë Gjermanisë gjatë katër vjetëve të fundit është thjesht e njëjta gjë që na bënë në vitin 1940.

Por ky gabim, i cili duhet të jetë edhe më i zakonshëm në Shtetet e Bashkuara, ka në vetvete një rrezik poten­cial dhe protestat e shumta kundër bombardimeve pa dallim, që janë shqiptuar nga pacifistët dhe humani­tarët, thjesht e kanë bërë më të ngatërruar çështjen.

Bombardimi nuk është veçanërisht çnjerëzor. Lufta në vetvete është çnjerëzore dhe avioni bombardues, i cili përdoret për ta paralizuar industrinë dhe tran­sportin, është një armë relativisht e civilizuar. Lufta “normale” ose “legjitime” është po aq shkatërruese për objektet e pajetë dhe jashtëzakonisht shumë për jetët njerëzore. Për më tepër, një bombë vret një pjesë të rastësishme të popullsisë, ndërsa burrat e vrarë në betejë janë pikërisht ata që komuniteti mund të përba­llojë, më së paku të humbasë. Populli i Britanisë nuk është ndier kurrë i qetë për bombardimin e civilëve dhe pa dyshim se do të jetë po aq i gatshëm për t’i mëshiruar gjermanët sapo t’i mposhtin përfundimisht; por ajo që ata ende nuk e kanë kuptuar – falë imunitetit të tyre krahasues – është shkatërrimi i frikshëm i luftës moderne dhe periudha e gjatë e varfërimit që tani është përpara botës në tërësi.

Të ecësh nëpër qytetet e rrënuara të Gjermanisë do të thotë të ndiesh një dyshim të vërtetë për vazhdimësinë e qytetërimit. Duhet mbajtur mend se nuk është vetëm Gjermania ajo që është goditur. I njëjti shkretim shtri­het, gjithsesi, në pjesë të konsiderueshme, nga Brukseli në Stalingrad. Dhe aty ku ka pasur luftime tokësore, rrënimi është edhe më i madh. Në rreth 300 milje midis Marnës dhe Rinit, nuk ka një urë apo një rrugëkalim që nuk është hedhur në erë.

Edhe në Angli jemi të vetëdijshëm se na duhen tre milionë shtëpi dhe se shanset për t’i marrë ato brenda një kohe të matshme duken mjaft të vogla. Por sa shtëpi do t’i duhen Gjermanisë, Polonisë, BRSS, apo Italisë? Kur dikush mendon për detyrën e jashtëzakonshme të rindërtimit të qindra qyteteve evropiane, kupton se duhet të kalojë një periudhë e gjatë para se të riven­dosen edhe standardet e jetesës të vitit 1939.

Ne nuk e dimë ende masën e plotë të dëmit që i është bërë Gjermanisë, por duke gjykuar nga zonat që janë pushtuar deri më tani, është e vështirë të besohet në fuqinë e gjermanëve për të paguar ndonjë lloj dëm­shpërblimi, qoftë në mallra apo me punë. Thjesht për ta ristrehuar popullin gjerman, për t’i vënë në punë fabrikat e shkatërruara dhe për ta penguar bujqësinë gjermane të bjerë në kolaps pasi punëtorët e huaj të jenë çliruar, do ta harxhojë të gjithë fuqinë punëtore që gjermanët ka të ngjarë ta kenë.

Nëse, siç është planifikuar, miliona prej tyre do të dëbohen për punë rindërtimi, vetë rimëkëmbja e Gjer­manisë do të jetë edhe më e ngadaltë. Pas luftës së fundit më në fund u kuptua pamundësia për të marrë dëmshpërblime thelbësore parash, por në përgjithësi u kuptua më pak se varfërimi i një vendi të vetëm ndikon në mënyrë të pafavorshme te bota në tërësi. Nuk do të krijonte asnjë përparësi nëse Gjermania do të kthehej në një lloj lagjeje të varfër rurale.

8 prill 1945

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela. Të drejtat e botimit, “Armagedoni”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në rubrikën Çështja shqiptare (në frëngjishte), Konica boton një lloj…