Skënderbeu, Rolandi i Shqipërisë

09 mars 2023 | 08:21

Në rubrikën Çështja shqiptare (në frëngjishte), Konica boton një lloj trajtese historike për shqiptarët, duke mos harruar ta lidhë atë me situatën aktuale të shqiptarëve. Ja me sa natyrshmëri dhe lehtësi e fillon trajtesën: “Deri tani kemi qenë të kënaqur që nga dita më ditë të shënojmë manifestimet e kësaj fuqije kombëtare, lulëzimi i plotë i të cilës do të shënojë përmbysjen e suvernitetit të Sulltanit dhe ringjalljen apo këndjelljen e këtij vendi në një jetë të bukur dhe fisnike”. Përveç kësaj, autorit i thotë mendja se s’ka qenë nevoja të trajtohet çështja shqiptare si temë e vetme, meqë kjo tashmë është e njohur. “Të gjithë ata që dinë se ekziston një shkencë që i thonë histori, – vazhdon Konica, – dhe të cilët ia dinë nocionet themelore, duhet me siguri të njohin domethënien e trefishtë të termit Shqipëri, shqiptar dhe çështje shqiptare (Albanie, Albanais, Question Albanaise)”. Pasi bën fjalë për pozi­tën e Shqipërisë në Ballkan, duke theksuar se Shqipëria ka troje pjellore, të begata dhe të bukura, ai shton: “Shqiptarë quhen banorët e Shqipërisë. Fjala është për një komb tremilionësh (më 1897). Ky është një popull i fortë, i përkort, i paprirur për intriga, dashamir i artit dhe i poezisë, pa qenë i vetëdijshëm për këtë prirje, instiktivisht. Ky popull po vdes nga uria”.

I vjen radha edhe epopesë së lavdishme të së kaluarës së popullit shqiptar. Lidhur me atë periudhë, Konica na mëson: “Deri nga mesi i shek. XV Shqipëria – si mbarë Evropa e asaj kohe – ishte e përbërë nga një sërë qyte­tesh të pavarura nga njëri-tjetri, nga dukatët, kontet, krahina banorësh dhe bujarësh dhe rrallëherë nga qytete të lira. Me ardhjen e turqve në qytetet shqiptare, natyrisht shqiptarët e ndien nevojën e bashkimit të forcave të tyre. Kështu u formua Lidhja Shqiptare, kryetar i të cilës u emërua Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sundimtari i Krujës. Skënderbeu është Rolandi i Shqipërisë. Gjatë njëzet e shtatë vjetëve ai qe në gjendje të bënte një qëndresë triumfuese kundër islamizmit, që po i pushtonte trojet me brutalitet. Ron­sevo dhe Kruja janë dy tempuj të cilët krishterizmi mirënjohës do të duhej t’i nderonte me pelegrinazhe vjetore. Evropa nuk ishte atëherë në situatën e mirë në të cilën gjendet sot. Mjaftonte të përmendej vetëm emri i turqëve për t’ua kallë frikën edhe evropianëve më të guximshëm. Mbarë bota e për­krahte atëherë duke u dridhur luftën që po zhvillohej mes shqiptarëve, dome­thënë midis Evropës dhe turqëve. Në atë kohë Papa e nderoi Skënderbeun me titullin madhështor të Mbrojtësit të Kryqit”.

Në këtë mënyrë emri shqiptar në atë epokë i bënte nder mbarë Evropës. “Sikur në atë kohë, – shton Konica, – ndonjë shkrues (në vend të gazetarëve atëherë ekzistonin vetëm kronistët) do të kishte guximin të thoshte në Evropë se shqiptarët janë barbarë, me siguri do t’ia shkurtonin gjuhën. Për të kuptuar se ç’domethënie kishte atëherë fjala shqiptar (Albanias) në Perëndim me depërtimin e turqëve në Evropë, duhen lexuar historianët bashkohës, mbi të gjitha, vepra e Barletit”.

Marrë nga libri “Me Konicën në Evropë” të Abdullah Karjagdiut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar zyrtarisht procesin për organizimin…