Skulptori Bedri Haziraj hap ekspozitën personale “Deri kur…”

12 qershor 2023 | 14:05

Ekspozita personale “Deri kur…” e skulptorit Bedri Hazirajt, e cila është hapur sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është ekspozitë që u kushtohet të pagjeturve; plagë kjo që ende brengos shoqërinë  e Kosovës, sidomos familjet e prekura në luftën e fundit nga forcat serbe.

Koncepti i ekspozitës ka një porosi konkrete, të materializuar në forma skulpturale e në variacione të ndryshme; është një përpjekje për t’i vizualizuar mendimet përmes formës plastike në pozitën e një kronisti, që flet për të kaluarën dhe të sotmen.

Bedriu materializon në dru eshtrat e viktimave të pafajshme të luftës, me ç’rast njerëzit shndërrohen në numra nga regjistrimet e ruajtura; nga ato që janë gjetur deri më tani, të cilat janë një revoltë vizuale për moszbardhjen e rasteve të tjera.

Subjekti që autori ka zgjedhur është një koncept tragjik, që flet për pasojat e shoqërisë së Kosovës, në të cilën po përballet shoqëria jonë në dy dekadat e fundit të pasluftës; nuk ndalon së kërkuari drejtësi e rrugë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, gjë që lëngon si plagë e përhershme dhe e pashëruar në dhjetëra vatra të Kosovës.

Imazhet që sjell autori ndoshta na kujtojnë romanin e Kadaresë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që kryesisht flet për luftën dhe pasojat e saj.

Skulpturat janë skalitur me një seriozitet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, që paraqesin konkretisht dramën njerëzore dhe golgotën e shqiptarëve të Kosovës.

Vizualizimi dhe skalitja në dru ka motiv një narracion të autorit e riaktualizimi i kësaj teme është konsumuar edhe nga autorë të tjerë, në forma dhe mediume të ndryshme të artit pamor.

Ismet Jonuzi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot (e hënë) është raportuar për vdekjen e një turiste…