Sladan Trajkoviç dënohet me 10 vjet burg për krime lufte
Në aktakuzë thuhej se Trajkoviç ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve. Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Sladan Trajkoviçit, i akuzuar për krime lufte, duke e dënuar me 10 vjet burgim. Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ngadhnjim Arrni, së bashku me anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli.
Sipas gjykatësit Arrni, Trajkoviç është shpallur fajtor për pikën C të aktakuzës, për të cilën i është shqiptuar dënimi me 10 vjet burg. Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa masa e paraburgimit i vazhdohet me aktvendim të veçantë. Gjykata ka obliguar të dënuarin të paguajë shpenzimet e procedurës, përkatësisht 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Ndërkaq, palët e dëmtuara janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë përmes kontestit civil.
Sa i përket pikave A, B dhe D të aktakuzës, gjykata ka vlerësuar se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprimet penale për të cilat ngarkohej. Në aktakuzë thuhej se Trajkoviç ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestim, torturë, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe depërtim të mijëra civilëve shqiptarë.
Siç përshkruhej në aktakuzë, në mesditën e 6 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe Trajkoviçi, kanë marrë urdhra duke rrethuar fshatin Reznik të Vushtrrisë, e pastaj kanë filluar ofensivën duke sulmuar fshatin, duke djegur shtëpi dhe vrarë civilë. Në këtë ditë, forcat serbe kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes Ujkani, ku pas vrasjes, trupat e tyre janë djegur bashkë me shtëpitë.



