Smajl Latifi: Le të mobilizohemi për fitoren që na pret dhe të bëhemi gati për projektet e mëdha

03 nëntor 2025 | 12:01

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe fushatë të qetë në ditët e mbetura deri më 9 nëntor, kur pritet të mbahet votimi.

Në një postim në rrjetet sociale, Latifi ka falënderuar qytetarët e Rahovecit për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të jetë pranë qytetarëve për të shpalosur programin e tij qeverisës.

“Të dashur qytetarë të Rahovecit, mbështetës e bashkëpunëtorë. Jemi gjashtë ditë larg 9 nëntorit, kur do të votojmë për të përcaktuar modelin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme. Duke ju falënderuar për mbështetjen dhe përkrahjen që më motivon të vazhdoj me punë e përkushtim për komunën tonë, unë do të jem para jush dhe me ju në këto ditë, për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja, për të dhënë sqarime për planet e mia dhe për të shtjelluar hollësisht programin tim qeverisës. Le t’u japim frymë qytetarie dhe kulture ditëve të mbetura të fushatës, duke biseduar për të ardhmen tonë pa ngarkesa e pa paragjykime. Tubimet tona nisin sonte në Krushë të Madhe, në Shtëpinë e Kulturës “Muhamet Malësori”, në orën 19:00, ku unë dhe bashkëpunëtorët e mi do ta shpalosim programin qeverisës para qytetarëve. Le të mobilizohemi për fitoren që na pret dhe të bëhemi gati, edhe më shumë, për punët e shumta dhe projektet e mëdha që kemi para vetes për t’i bërë realitet, e që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Rahovecit. Faleminderit për përkrahjen dhe bashkëpunimin me përkushtim për komunën tonë!”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën…