Soltesi: Kosova të vazhdojë përmbushjen e reformave të agjendës evropiane  

05 qershor 2018 | 15:08

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, me të cilin ka biseduar rreth pozicionit të Kosovës karshi përmbushjes së agjendës evropiane.

Me këtë rast Haradinaj e ka informuar raportuesin Soltes për të arriturat dhe progresin që ka shënuar Kosova, zbatimin e reformave në legjislacion, si dhe për dinamikën e përshpejtuar të reformave në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe në fushat e tjera me rëndësi për vendin dhe për procesin e liberalizimit të vizave.

“Institucionet e Kosovës janë në linjë me detyrat e veta se çka duhet bërë sa i përket rrugës tonë drejt integrimeve euroatlantike. Ne kemi treguar përkushtim të plotë për vlerat evropiane”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se tani me të drejtë qytetarët e Kosovës presin vendimin pozitiv për lëvizje të lirë në Zonën Shengen.

Sipas Haradinajt, Qeveria e Kosovës e ka bërë punën e saj sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave dhe se është duke punuar për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimin e perspektives për të rinjtë.

“Rruga evropiane e Kosovës është e pa alternativë”, ka theksuar Haradinaj.

Ndërkohë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë,  duke inkurajuar institucionet e vendit që të vazhdojnë përkushtimin e tyre në përmbushjen e reformave që dalin nga agjenda evropiane.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një ceremoni të organizuar në Regjimentin e Mbrojtjes Civile,…