Sonte dy superpërballje në Ligën e Kampionëve

23 shkurt 2021 | 08:05

Përballje interesante do të zhvillohet në Rumani në mes të Atletico Madridit dhe  Chelseat, ndërsa sonte skuadra e Vedat Muriqit, Lazio, e pret në “Olimpico” kampionin e Evropës dhe Botës, Bayern Munchenin.

Atletico Madrid do të përballet sonte (e martë) me Chelsean në kuadër të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Arena Nationala” në Bukuresht të Rumanisë për shkak të protokolleve të koronavirusit mbi udhëtimet.

Teknikisht në këtë ndeshje Atletico është vendasi, edhe pse ndeshja nuk zhvillohet në Spanjë, kurse ndeshja e dytë zhvillohet në mes të muajit mars në Londër. Atletico është në krye të garës për titullin në La Liga, duke qenë tri pikë para Realit, por edhe me një ndeshje më pak të zhvilluar. Megjithatë, skuadra e Diego Simeones do të hyjë në këtë ndeshje pas humbjes tronditëse 2-0 në shtëpi ndaj Levantes dhe ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit.

Gjigantët e Madridit nuk patën formë të mirë në fazën e grupeve  të këtij sezoni, duke fituar vetëm dy nga gjashtë ndeshjet e Grupit A, por gjithsej nëntë pikë ishin të mjaftueshme për ta siguruar kualifikimin. Chelsea u kualifikua pa ndonjë problem, duke përfunduar në krye të Grupit E me 14 pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshjet e tyre kundër Sevillas, Krasnodarit dhe Rennesit. Chelsea do të hyjë në ndeshjen e së martës pas një barazimi 1-1 me Southamptonin në Premierë Ligë. Atletico në këtë ndeshje do të jetë pa Jose Gimenezin, Yannick Carrasco, Sime Vrsaljko dhe Hector Herrera, ndërsa Chelsea do të jetë pa Kai Havertz dhe Christian Pulisiqin.

Në ndeshjen tjetër sonte takohen në “Olimpico”, Lazio dhe Bayern Munchen. Skuadra italiane, ku aktivizohet Vedat Muriqi, përfundoi e dyta pas Borussia Dortmundit në Grupin F për t’u kualifikuar në fazat e eliminimit direkt për herë të parë që nga viti 2000, kurse kampioni në fuqi i Evropës dhe Botës, Bayern Munchen, u kualifikua i parë nga Grupi A. Skuadra italiane do të jetë pa Luiz Felipe, Stefan Radu, Thomas Strakosha dhe Silvio Proto. Në klubin gjerman mungojnë Corentin Tolisso, Serge Gnabry, Douglas Costa, Alexander Nubel dhe Tanguy Nianzou nuk do të udhëtojnë për shkak të lëndimit.

Të martën takohen:
21:00 Atletico Madrid – Chelsea
21:00 Lazio – Bayern Munchen

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ky test me makinën do të vërë në vështirësi, sepse…