Sonte gjysmëfinalja e parë në mes të Arsenalit dhe PSG-së

29 prill 2025 | 10:42

Rikthehet përballja në mes të Arsenalit dhe PSG-së në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve. Ish-kundërshtarët e fazës së grupeve, Arsenal dhe Paris Saint-Germain, do të përplasen sërish në superpërballjen e gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, ndeshja e parë e së cilës luhet sonte (e martë) në “Emirates Stadium”. Të dyja skuadrat ëndërrojnë ta thyejnë më në fund mallkimin e gjatë pa një trofe evropian.

Skuadra e Mikel Artetës e eliminoi Real Madridin me një paraqitje të jashtëzakonshme, duke fituar 3-0 në shtëpi dhe më pas duke triumfuar 2-1 në “Santiago Bernabeu”, për një rezultat total befasues 5-1 kundër rekordmenëve të këtij kompeticioni. Edhe pse pa një sulmues të mirëfilltë dhe pa Gabriel Magalhaes në mbrojtje, Arsenali tregoi pjekuri, disiplinë dhe dominim taktik ndaj një skuadre me përvojë të madhe në këtë kompeticion. Kjo është hera e tretë që “Topçinjtë” arrijnë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe e para që nga viti 2009. Historikisht ata kanë një përqindje 50 % suksesi në këtë fazë – pasi më 2006 shkuan në finale, por humbën ndaj Barcelonës, ndërsa më 2009 u eliminuan nga Manchester Unitedi. Forma e Arsenalit është mbresëlënëse: tetë ndeshje pa humbje në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, një arritje që nuk e kanë përjetuar që nga sezoni 2005-06. Gjithashtu, ata janë të pamposhtur në 12 ndeshje në të gjitha garat. Megjithatë, një pikë dobësie vazhdon të jetë paaftësia për ta mbajtur avantazhin – një problem që u shfaq sërish në barazimin 2-2 me Crystal Palacen në Premierë Ligë.

Nga ana tjetër, PSG-ja e Luis Enrique eliminoi Aston Villën dhe më parë edhe Liverpoolin, duke treguar forcën e brezit të ri që ka në dispozicion. Gjithsesi, humbja 3-2 në Angli ndaj Aston Villës dhe disfatat e fundit në Ligën 1 – përfshirë humbjen befasuese ndaj Nices, dëshmojnë se francezët nuk janë të pathyeshëm. PSG-ja ka shënuar në 18 ndeshje radhazi jashtë fushës në të gjitha garat, por nuk ia doli të shënojë në humbjen 2-0 kundër Arsenalit në fazën e grupeve më 1 tetor. Statistikat nuk janë në favorin e tyre: ata nuk e kanë mposhtur kurrë Arsenalin në pesë përballjet e mëparshme. Nëse Arsenali arrin ta ripërsërisë dominimin që pati ndaj Real Madridit, përballja me Barcelonën apo Interin në finalen e 31 majit do të jetë më shumë se një ëndërr – do të jetë një mundësi reale. Mungesat e Arsenalit për këtë ndeshje janë Gabriel, Kai Havertz, Takehiro Tomiyasu, Gabriel Jesus, Jorginho dhe Thomas Partey, kurse Riccardo Calafiori është në dyshim për këtë ndeshje. Në anën tjetër, PSG-ja ka qenë e bekuar me një gjendje perfekte fizike në këtë fazë të garës. Trajneri Luis Enrique pritet t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët për udhëtimin në Londër, një avantazh i madh në këtë nivel të garës më të fortë në futboll.

Formacionet e mundshme:

Arsenal: Raya, Timber, Saliba, Kiwior, Lewis-Skelly, Odegaard, Rice, Merino, Saka, Trossard, Martinelli.

Paris Saint-Germain: Donnarumma, Hakimi, Marquinhos, Pacho, Mendes, Ruiz, Vitinha, Neves, Barcola, Dembele, Kvaratskhelia.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albulena Haxhiu përsëri ka dështuar të zgjedhet kryetare e Kuvendit…