Sonte gjysmëfinalja e parë Real – Chelsea

27 prill 2021 | 12:07

Real Madridi dhe Chelsea sonte (e martë) e zhvillojnë ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në “Alfredo Di Stefano Stadium”.

Pavarësisht se është raportuar për përjashtimin nga Liga e Kampionëve të këtyre dy skuadrave për shkak të Superligës Evropiane, ndeshja gjysmëfinale do të zhvillohet. “Los Blancos” u kualifikua në gjysmëfinale pasi e mposhti Liverpoolin me rezultat të përgjithshëm 3-1, por në fundjavë skuadra “mbretërore” luajti baras ndaj Real Betisit (0-0). Në anën tjetër ka shtuar shanset për një vend në top-katërshen me fitore minimale që e mori ndaj West Ham Unitedit (1-0).

Trajneri Zinedine Zidane ka thënë se kjo ndeshje nuk është aspak e lehtë për skuadrën e tij. “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe duam të paraqitemi sa më mirë. Nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Chelsea është një skuadër që sulmon dhe mbron shumë mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe të shfaqemi të rrezikshëm në ofensivë. Duhet versioni më i mirë i Realit. Nuk zgjedhim mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve. Jemi në garë në të dy kompeticionet. Kemi kaluar shumë vështirësi, por ia kemi dalë t’i lëmë pas krahëve problemet e hasura”, ka thënë Zidane.

Lajme të mira për Realin janë se Eden Hazard, Toni Kroos, Dani Carvajal dhe Raphael Varane janë gati për këtë ndeshje, kurse mungesat janë Federico Valverde, Sergio Ramos, Lucas Vazquez dhe Ferland Mendy. Mungesa e vetme e Chelseat në këtë ndeshje është Mateo Kovaqiq. Për ndeshjen ndaj Real Madridit, foli edhe mbrojtësi i Chelseat, Antonio Rudiger. Mbrojtësi gjerman e ka vlerësuar këtë ndeshje si shumë të komplikuar.

“Nuk ka duele të lehta në gjysmëfinale. Reali është një kundërshtar i jashtëzakonshëm, por ne po paraqitemi shumë mirë. Mendoj se njerëzit kanë më shumë pritshmëri nga Reali sesa nga ne. Do të jetë një ndeshje shumë e komplikuar. Nuk shoh gjithë ditën futboll, por i kam ndjekur disa ndeshje të Realit, sidomos ‘El Clasico’-n ndaj Barcelonës. Ne po e përgatisim ndeshjen ndaj tyre si ndeshja e radhës. E dimë që ata kanë shumë histori në këtë turne, por nuk ka aspak rëndësi një gjë e tillë”, ka thënë Rudiger.

Formacionet e mundshme:

Real Madrid: Courtois; Carvajal, Varane, Militao, Nacho; Casemiro, Kroos, Modriq; Asensio, Benzema, Vinicius.

Chelsea: Mendy; Azpilicueta, Silva, Rudiger; James, Jorginho, Kante, Chilwell; Mount, Werner; Havertz.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan dënoi njohjen e gjenocidit…