Sot 13 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës

17 shkurt 2021 | 07:01

Republika e Kosovës sot shënon 13-vjetorin e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe të njohur nga 117 shtete.

Institucionet e Kosovës për këtë ditë kanë paraparë aktivitete të ndryshme.

Në orën 8:00 para objektit të qeverisë do të ngrehet flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së, ku do të jenë të pranishëm ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe përfaqësues ndërkombëtarë, shkruan “Epoka e re”.

Ndërkaq në orën 9:00 në Velani, liderët shtetërorë do të bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Po ashtu në orën 10:00 në Prekaz liderët shtetërorë do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari. Gjithashtu, më 17 shkurt, në orën 10:00, në të gjitha komunat e Kosovës do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve.

Në Kazermën Adem Jashari në Prishtinë, në orën 12:00, do të mbahet manifestimi qendror, ku do të jenë të pranishëm ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.

Më 17 shkurt, në orën 18:00, ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, do ta organizojë pritjen shtetërore për 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq në orën 20:00, në “Klan Kosova”, nën përkujdesjen e kryeministrit Avdullah Hoti, do të mbahet koncerti recital i këngëtarit Ilir Shaqiri.

Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.
Shyqri Nimani për 16 orë pa ndërprerë ka kaligrafuar në pergamenë Deklaratën e Pavarësisë.

Të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Shtetet e para që njohën Kosovën shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, ShBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

Pergamena e vjetër 200-vjeçare në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit. Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin janë vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë. Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë.

Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi. Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

(Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se…