Sot mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

04 gusht 2020 | 11:30

Nën masa të veçanta për shkak të koronavirusit, Maqedonia e Veriut sot do ta mbajë seancën konstituive të Kuvendit, e cila pritet të drejtohet nga ish-kryeparlamentari Talat Xhaferi. Zgjedhjet e muajit të kaluar nuk i kanë siguruar shumicën parlamentare asnjërës prej dy partive kryesore maqedonase të cilat janë dujke vazhduar bisedimet me grupimet shqiptare për koalicionin.

Procesi elektoral i ka siguruar shumicën socialdemokratëve në pushtet të ish-kryeministrit Zoran Zaev, 46 mandate, 2 më shumë sesa opozitarët e VMRO-DPMNE-së. Duke ditur përbërjen e dhomës legjislative me 120 vende, asnjëra prej grupimeve më të mëdha nuk ka marrë mazhorancën parlamentare.

Si forca përcaktuese të aleancave politike shihen partitë shqiptare, në krye me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit. 15 mandatet e BDI-së së bashku me LSDM-në do të formonin një shumicë të brishtë parlamentare dhe do ta mundësonin vijimin e aleancës së shkuar. Mediat lokale raportojnë se kusht i shqiptarëve është posti i kryeministrit që, sipas një teorie, mund t’u jepet atyre në vitin e fundit të katërvjeçarit qeveritar. Një tjetër grupim etnik, ai i Aleancës për Shqiptarët i Ziadin Selës, ka thënë se nuk i beson Ahmetit dhe se është duke vazhduar negociatat me aktorë të tjerë politikë për t’i bashkuar 12 mandatet e veta.

Lideri i VMRO-së, Hristjan Mickovski, ka thënë të dielën se ai nuk do ta mbështeste një koalicion të zgjeruar me LSDM-në si kundërpërgjigje ndaj bllokut shqiptar për çështjen e kryeministrit. Edhe për VMRO-në një kryeministër shqiptar do të ishte në kundërshtim me parimet e saj. Bisedimet për koalicionin do të vijojnë deri më 14 gusht. Ky është afati formal kur presidenti Stevo Pendarovski duhet ta propozojë mandatarin e qeverisë dhe në fillimin e shtatorit ky i fundit duhet ta marrë edhe miratimin në kuvend të platformës qeverisëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim…