Sot mësohen finalistet e Kupës në futboll

24 prill 2024 | 11:42

Sot (e mërkurë) do të zhvillohen dy ndeshjet kthyese në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në futboll, me ç’rast do të mësohen edhe dy skuadrat finaliste në këtë garë mjaft të rëndësishme në futbollin e Kosovës.

Vëmendja kryesore do të jetë në derbin në mes të Dritës dhe Prishtinës. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Lipjan këto dy skuadra luajtën baras 0-0, derisa sot në Gjilan që të dyja do ta synojnë fitoren dhe kualifikimin në finalen e madhe, më pas edhe triumfin që siguron daljen në garat evropiane. Sa i përket kampionatit, Drita është më mirë pasi ende po lufton për titull, ndërsa Prishtina e ka humbur hapin dhe objektiv të vetëm e ka garën e Kupës.

Ndeshjen e së mërkurës FC Prishtina e ka konsideruar si më të rëndësishmen në këtë edicion garash.

Ndërsa sa i përket rezultatit 0-0 nga ndeshja e parë, vlerëson se nuk lejon kalkulime në ndeshjen kthyese. “Skuadra zhvillon ndeshjen më të rëndësishme deri më tani në këtë edicion. Rezultati i ndeshjes së parë pa gola detyron skuadrat të luajnë pa shumë kalkulime në këtë përballje të dytë ku fitorja në 90 minutat e rregullt, me çfarëdo rezultati, dërgon në finale, ndërsa çdo barazim në pjesën e rregullt dërgon duelin në shtesa, apo në fund në penallti. Skuadra në fundjavë ka arritur fitore në kampionat duke ngritur vetëbesimin dhe duke forcuar besimin se mund t’ia dalë të kualifikohet në finalen e 12 në histori të klubit”, thuhet në postimin e Prishtinës.

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale do të përballen Ballkani dhe Suhareka, një derbi i skuadrave nga i njëjti qytet. Ndeshjen e parë të zhvilluar e kanë fituar kampionët në fuqi të Superligës me rezultat 0-1.

Tash Suhareka do të mundohet ta befasojë Ballkanin dhe të kualifikohet në finale. Të dyja ndeshjet zhvillohen nga ora 15:00.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e ka uruar ish-presidentin, Hashim Thaçi, për…