Sot në Tiranë, nesër në Prekaz ekspozita “Të ndarë, por të pashkëputur”

27 nëntor 21:35

Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (AShAK), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë (DPASh), në shenjë nderimi dhe përkujtimi të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe burrështetasve të asaj kohe, kanë hapur sot në Tiranë, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ekspozitën “Të ndarë, por të pashkëputur”. Hapjen e ekspozitës e ka bërë drejtori ekzekutiv i AShAK-ut, Bedri Zyberaj, i cili ka pritur dhe ka përcjellë gjatë gjithë ditës qindra deputetë të dy kuvendeve shqiptare, të cilëve u ka folur për rëndësinë e kësaj ekspozite në këtë datë të shënuar, por edhe shumë qytetarëve shqiptarë dhe vizitorëve të huaj.

Zyberaj para pak çastesh ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se këtë ekspozitë nesër do ta hapin edhe në vendlindjen e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prekazin e lavdishëm. “Sot e mbyllëm në Tiranë, nesër në orën 9.00 ekspozitën ‘Të ndarë, por të pashkëputur’ do ta hapim në Prekaz, në vendlindjen e komandantit të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ata që s’kanë pasur mundësi ta vizitojnë sot në Tiranë, do të kenë mundësi ta vizitojnë në Prekaz. Nëpërmjet kësaj ekspozite, në këto ditë feste të shumta e shumë të rëndësishme të kombit dhe shtetit shqiptar dhe të Kosovës, i nderojmë dhe i përkujtojmë të gjithë ata burrështetas që bën shumë për pavarësinë e Shqipërisë, për kombin shqiptar, për Kosovën dhe për pasardhësit. Me këtë ekspozitë e me këtë titull, ‘Të ndarë, por të pashkëputur’, dëshirojmë të përafrohemi edhe më tutje siç qenë të përafruar e të bashkuar të gjithë shqiptarët ndër epoka, por edhe siç qemë të bashkuar sot në Tiranë, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Zyberaj.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë (DPASh), Ardit Bido, i cili, për shkak të një udhëtimi zyrtar në Turqi nuk ka qenë i pranishëm sot në hapje të kësaj ekspozite në Tiranë, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” për këtë ekspozitë: “Meqë te ne do të përfundojnë, Kuvendet s’kanë ku shkojnë pa ne. Në mbledhjen solemne të dy Kuvendeve, që si çdo shqiptar e prisja me padurim, ishte krenari që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, bashkë me Arkivin e Kosovës dhe Muzeun, i mirëpritën me grimcat e arta të historisë kombëtare deputetët e dy anëve të Drinit, përmes dy ekspozitave mbi pavarësinë që qëndruan në hyrjen ceremoniale nga kaloi kushdo. Sepse sot ishte një ditë solemne, e ndërtuar mbi themelet që qëndrojnë të ruajtura me kujdes pranë arkivave, siç edhe kjo mbledhje e veçantë, do të ruhet përherë për shqiptarët e së nesërmes.

Endrit Musaj, Bedri Zyberaj, Dorian Koçi, Ergi Zaloshnja, Denald Prifti, Kristi Kaba, Shpresa Mekaj, Bekim Aliu, Andre Llukani e të tjerë, kryen detyrën e tyre që historia e sotme të niste mbi themelet e ekspozuara me kujdes jashtë!”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MANIFESTIMI QENDROR “RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR“ Kazerma “Adem Jashari“, Prishtinë,…