Sot përballja pozitë-opozitë për taksën në Kuvend

02 mars 2020 | 07:54

Kuvendi i Kosovës sot (e hënë), në orën 11:00, do të diskutojë për taksën ndaj produkteve serbe, ndërsa pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.

Madje qëndrim të bashkuar për tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe nuk kanë as partnerët e koalicionit qeverisës.

Një ditë para mbajtjes së seancës të thirrur nga opozita, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i ka kërkuar Kuvendit që ti rekomandojë qeverisë heqjen e taksës ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë rekomandim të Mustafës e ka mbështetur i dërguari i presidentit Trump për dialogun Kosovë Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se heqja e tarifës të hënën do të ishte një fillim i mbarë. “Postim shumë i mirë. Isa Mustafa është lider i guximshëm. Heqja e tarifës nesër do të ishte fillim i shkëlqyeshëm për më shumë përparim dhe do të kishte lëvizje të shpejtë. Por, zhvillimi ekonomik nuk mund të ecë përpara derisa të mos hiqet tarifa”, ka shkruar Grenelli.

Propozimin e Kurtit për heqje të pjesshme të taksës e ka kundërshtuar edhe presidenti Hashim Thaçi, duke thënë se me këto veprime qeveria e re po e thellon izolimin e Kosovës dhe po i prish raportet me ShBA-në, shkruan “Epoka e re”.

Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me ShBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me sekretarin Pompeo dhe me këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”, ka  vlerësuar Thaçi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur me kërkesë të 41 deputetëve opozitarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viteve të fundit Kosova është përballur me një fluks të…