Studentët kosovarë që studiojnë jashtë, duan të kthehen në Kosovë dhe të japin kontributin e tyre

02 mars 2020 | 00:07

Viteve të fundit Kosova është përballur me një fluks të madh të ikjes së rinisë, ndërkaq edhe shumë prej atyre që kanë mbetur këtu, pohojnë se në mundësinë e parë të dhënë do të largoheshin.

Megjithatë, ky fluks largimi, për shumë të rinj po shërben si motiv për t’u përgatitur edhe më shumë e më shpejt intelektualisht, në mënyrë që Kosovës t’i kthehen si njerëz që nuk do t’i bëhen barrë, por shpëtim e shpresë për ditë më të mira.

Të tilla janë dy studentet kosovare që po studiojnë jashtë vendit, Liridona Osmanaj dhe Ferdiana Hoti, të cilat ndonëse studiojnë në shtete e degë të ndryshme, megjithatë mendimet e tyre bashkohen në një pikë, tek dashuria për Kosovën dhe vullneti për të dhënë kontributin e tyre për vendin.

 (Ferdiana Hoti)

Ferdiana Hoti po i përfundon studimet e doktoratës për shkenca shoqërore në Universitetin e Anverses, si dhe në Qendrën Shkencore Belge për Energji Nukleare, dhe, sipas saj, çdo student duhet ta përjetojë ndjenjën e të studiuarit jashtë vendit së paku një herë në jetë. Sipas Ferdianës, të studiuarit jashtë vendit ndikon shumë edhe në mposhtjen e roleve gjinore.

“Duke qenë se shpesh perceptimi në Kosovë është që vajzat duhet të dinë patjetër të gatuajnë e të hekurosin, ndërsa djemtë duhet të sigurojnë jetesën për familjet e tyre. Kur dilni jashtë vendlindjes të vetëm, e kuptoni që këto janë aftësi esenciale për jetë, e jo role gjinore”.

Madje, ajo rrëfeu edhe historinë e saj personale kur e mori vendimin të studionte jashtë vendit.

“Mos lejoni që limitet që të tjerët kanë në botën e tyre t’ua ndalojnë juve për ndjekjen e qëllimeve tua. Para se të dilja jashtë vendit për herë të parë, një e afërme e imja u thoshte prindërve të mi se si është e mundur që po e lejojnë vajzën e tyre të dalë jashtë e vetme, sepse sipas saj, ‘çikat nuk bon me nejt pa mbikëqyrje se ju ndodhë ma e keqja’. Prandaj, i kisha këshilluar të gjithë të rinjtë, e veçanërisht vajzat, që ta vërtetojnë të kundërtën, duke e vendosur veten para sfidave të ndryshme, duke krijuar eksperienca të reja dhe duke mposhtur të gjithë stereotipat dhe paragjykimet me të cilat përballemi, duke krijuar kështu një gjeneratë me mendjehapur”, theksoi ajo.

Liridona Osmanaj është një studente tjetër nga Kosova, e cila studimet po i përfundon në Politika të Zhvillimit Ndërkombëtar, në Duke University të Karolinës së Veriut, SHBA.

Ajo tregoi se shtytja kryesore për t’i përfunduar së pari studimet bachelor, e tash edhe ato master në SHBA, ishte kualiteti i dobët i arsimit në Kosovë dhe frika se po të shkollohej në Kosovë nuk do të bëhej e zonja mjaftueshëm për të ndihmuar vendin.

Ajo ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të studimeve themelore, andaj tha se do ta bënte të njëjtën gjë përsëri, por, sipas saj, duhet që të rregullohen disa gjëra, në mënyrë që vendimi i saj dhe i shumë të rinjve të jetë më i lehtë.

“Unë dua të kthehem, të jap kontributin tim në adresimin e problemeve me të cilat ne si shoqëri përballemi. Mirëpo, për të pasur ndryshime sistematike, secili aktor në këtë sistem duhet të bëj punën e tij. Specifikisht, në këtë sistem dhe kontekst të Kosovës, besoj se duhet të ekzistojnë përpjekje më serioze në anën e institucioneve shtetërore për të krijuar disa kushte të caktuara – si vendosja dhe konsilidimi i një shteti ligjor, luftimi i korrupsionit, përmirësimi i sistemit arsimor dhe krijimi i kushteve që sektori privat të bëjë punën e tij – në mënyrë ky kontributi ynë të jetë i frytshëm dhe i qëndrueshëm. Mirëpo, poashtu nuk duhet të harrojmë që edhe në këtë rast, jemi ne ata qe zgjedhim kë të vendosim në krye të shtetit, dhe kemi të drejtë dhe e kemi për detyrë të ju kërkojmë atyre llogaridhënie për politik-bërje. Por, sigurisht që në rrethana kur po bën mund dhe nuk sheh aq shumë rezultate – sepse përpjekjeve të tua nuk u përputhen disa kushte bazike nga akterë kryesor – demotivohesh dhe eksploron alternativa jashtë shtetit”, vlerësoi Liridona.

E pyetur se çfarë mendimi ka për të rinjtë që po largohen nga Kosova, ajo u shpreh se në njërën anë i kupton për shkak të gjendjes aktuale në Kosovë, por në anën tjetër pohon se njerëzit duhet të qëndrojnë për ta bërë shtetin një vend më të mirë.

 ( Liridona Osmanaj )

“Besoj që duhet të ndodhë një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë e shohin këtë situatë. Ndryshimi fillon prej nesh dhe është detyrë e secilit. Kjo nuk do të thotë që duhet të shpikësh diçka të jashtëzakonshme. Fillon me gjëra të vogla. Për shembull: A ke dëshirë t’i shohësh rrugët e Kosovës të pastra si ato në Zvicër? – Atëherë ec 20 metra më shumë për të hedhur mbeturinat në shportë, ose organizoje një ditë pastrimi në lagjen tënde; A ke dëshirë mos të ketë korrupsion në shoqërinë tonë? – Atëherë mos prano të paguash ryshfet për një shërbim publik, raportoje korrupsionin në Kallxo.com dhe dil e voto kandidatë politikë me integritet.

Në përfundim mendoj që të “qahemi” se sa keq janë gjërat në Kosovë, dhe në të njëjtën kohë të mos ngrehim gishtin për të ndryshuar diçka, nuk është e drejtë dhe rezulton në futjen e vendit tone në një cikël negativ që nuk i ndihmon askujt. Shtetndërtimi kërkon shumë punë e mund që duhet të vij nga secili prej nesh”, përfundoi ajo.

Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti EPIK, del se në periudhën 2008-2018, gjithsej 203,330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian. Gjatë kësaj kohe po ashtu, 141,330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE.

Sipas njoftimit të këtij instituti, vetëm 17.9% nuk do ta konsideronin migrimin si opsion./Gazetascaner

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja hollivudiane, Sharon Stone, e cila tashmë i ka kaluar…