Sot politikanët duhet t’i japin fund izolimit të vendit

21 mars 10:25

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije se sot (e martë) deputetët duhet t’i japin fund izolimit të Republikës së Kosovës. Ajo ka thënë se kjo do të ndodhë duke ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ministrja Hoxha ka vlerësuar se beson fuqishëm se politikanët në këtë ditë do të reflektojnë. “Besoj fuqishëm se aktorët politikë në vend do të reflektojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe t’u japin fund pritjeve të qytetarëve tanë para ambasadave. Konsensusin për ratifikimin e demarkacionit e shoh si lajm të shumëpritur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe për miqtë tanë”, ka thënë Hoxha. Ajo ka deklaruar se ka konsensus në mes të subjekteve politike për ratifikimin e kësaj marrëveshje, por nuk ka treguar se sa vota janë siguruar për këtë çështje.

Ministrja Hoxha ka thënë se tashmë kanë mirëkuptimin edhe të Listës Serbe për ta përkrahur demarkacionin.

“Pres që edhe Lista Serbe ta përkrahë këtë marrëveshje. Edhe qytetarët serbë janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe as ata nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë, të gjithë qytetarët janë të izoluar njëjtë. Sa iu përket përfaqësuesve të Listës Serbe, kemi mirëkuptim që ta përkrahin këtë marrëveshje për interes të qytetarëve që të lëvizin lirë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur e bindur se me ratifikimin e demarkacionit do të hapet rruga për liberalizim të vizave.

“Me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në Kuvendin e Kosovës ne përmbyllim dhe na mundësohet dorëzimi i raportit për përmbushjen e të dy kushteve: edhe të ratifikimit, por edhe për luftën e vazhdueshme kundër krimit dhe korrupsionit, një punë që ka pasur rezultate. Pra, ky do të jetë një kriter që edhe kur të anëtarësohemi në BE do ta luftojmë në vazhdimësi, sepse krimin dhe korrupsionin duhet t’i luftojmë në vazhdimësi”, ka thënë ajo, duke shtuar se pas dorëzimit të raportit për përmbushjen e kritereve, pastaj mbetet procesi i vendimmarrjes nga institucionet e Bashkimit Evropian.

“Duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera të Evropës Perëndimore që kanë arritur procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes merr kohë prej tre deri në gjashtë muaj.
Pas kësaj, janë një sërë nivelesh të vendimmarrjes, pra janë një sërë institucionesh të cilat duhet të marrin vendim. Duke e parë dhe krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë gëzojnë procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes ka marrë kohë.
Pasi të përfundojë procesi i vendimmarrjes nga këto institucione, caktohet data se kur hyn në veprim lëvizja e lirë”, është shprehur Hoxha.

“Epoka e re”: Znj. Hoxha, të martën Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. A i ka siguruar votat koalicioni qeverisës për ratifikimin e këtij projektligji?
Hoxha: Besoj fuqishëm se aktorët politikë në vend do të reflektojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe t’u japin fund pritjeve të qytetarëve tanë para ambasadave. Konsensusin për ratifikimin e demarkacionit e shoh si lajm të shumëpritur për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe për miqtë tanë. Me këtë konsensus tashmë është rikonfirmuar rruga jonë integruese euroatlantike, e konsensusit tonë nacional.
Andaj me punë e përkushtim gjithëpërfshirës, së bashku me institucionet e BE-së, ta arrijmë përshpejtimin e integrimit evropian, duke zbatuar procedurat dhe matshmërinë e zotimeve tona, në fushën e sundimit të ligjit, rritjes ekonomike, mirëqenies së qytetarëve dhe të gjitha vlerat e tjera të cilat i aspirojmë si shtet.

“Epoka e re”: Keni biseduar me Listën Serbe, meqë është partnere në këtë koalicionin qeverisës? Cili do të jetë qëndrimi i saj rreth demarkacionit?
Hoxha: Pres që edhe Lista Serbe ta përkrahë këtë marrëveshje. Edhe qytetarët serbë janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe as ata nuk e gëzojnë lëvizjen e lirë. Të gjithë qytetarët janë të izoluar njëjtë. Sa iu përket përfaqësuesve të Listës Serbe, kemi mirëkuptim ta përkrahim këtë marrëveshje për interes të qytetarëve që të lëvizin lirë.

“Epoka e re”: Gjatë diskutimeve që keni pasur deri më tani me këtë subjekt politik, a ka kërkuar diçka në këmbim të votës?
Hoxha: Unë nuk e kam ndonjë informatë të tillë. Duhet pasur parasysh se nuk jam e përfshirë në komunikimet me partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës sa iu përket çështjeve të cilat vijnë në Kuvend.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje dhe grupi që është ndarë nga ky subjekt kanë bërë me dije se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje. Keni kërkuar votën e këtyre deputetëve për demarkacionin?
Hoxha: Vota e deputetit është e njëjtë, nuk ka dallim. Ftesa për ta votuar demarkacionin në vazhdimësi është drejtuar për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Do të kishte qenë mirë që të mos varemi nga pak vota, por të bëhemi bashkë për hir të interesit të qytetarëve dhe ta votojmë këtë marrëveshje. Jam optimiste se do të lëvizim në këtë aspekt, por më mirë do të ishte të mos kemi vonesa.

“Epoka e re”: Nëse arrihet që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend, a mund Kosova ta zë hapin këtë vit për liberalizim të vizave dhe cili do të jetë mesazhi që me këtë rast do ta përçojë te partnerët perëndimorë?
Hoxha: Me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, ne përmbyllim dhe na mundësohet dorëzimi i raportit për përmbushjen e të dy kushteve: edhe të ratifikimit, por edhe për luftën e vazhdueshme kundër krimit dhe korrupsionit, një punë që ka pasur rezultate. Pra, ky do të jetë një kriter që edhe kur të anëtarësohemi në BE, do ta luftojmë në vazhdimësi, sepse krimin dhe korrupsionin duhet t’i luftojmë në vazhdimësi.
Pas dorëzimit të raportit për përmbushjen e kritereve, pastaj mbetet procesi i vendimmarrjes nga institucionet e Bashkimit Evropian. Duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera të Evropës Perëndimore që kanë arritur procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes merr kohë prej tre deri në gjashtë muaj.
Pas kësaj, janë një sërë nivelesh të vendimmarrjes, pra janë një sërë institucionesh të cilat duhet të marrin vendim. Dhe duke e parë dhe krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat tashmë gëzojnë procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes ka marrë kohë.
Pasi të përfundojë procesi i vendimmarrjes nga këto institucione, pastaj edhe caktohet data se kur hyn në veprim lëvizja e lirë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në lokalet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës…