Sot pritet të nisë vaksinimi masiv, s’dihet sa vaksina janë në dispozicion

15 qershor 2021 | 08:55

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të hënën se nga sot, 15 qershor, do të nisë vaksinimi masiv kundër Covid-19, edhe pse nuk ka bërë të ditur se sa vaksina tashmë janë në dispozicion për të nisur këtë proces.

“Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit në të gjitha qendrat e vaksinimit kudo në Kosovë dhe eliminimit të shmangies së çfarëdo situate të panevojshme, ftohen qytetarët që t’u përmbahen termineve të përcaktuara për vaksinim dhe në Qendra të vaksinimit të paraqiten vetëm pas marrjes së thirrjes për vaksinim”, thuhet në njoftimin e djeshëm të MSH-së.

Ndërkaq ministri Arben Vitia, po ashtu të hënën, ka thënë se “I kemi siguruar vaksinat, i kemi bërë përgatitjet” e se “së shpejti mbërrin dhe kontigjenti i parë i vaksinave Pfizer nga sasia që ka kontraktuar Republika e Kosovës”.

Ai ka shtuar se beson që Kosova do të ketë vjeshtë e dimër më të sigurt.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar javë më parë se ka kontraktuar 1.2 milionë vaksina “Pfizer” që do të vijnë deri në fund të vitit.

Deri tash në vend janë kryer rreth 100 mijë vaksinime. Të gjithë me vaksinat “AstraZeneca” dhe “Pfizer” të marra përmes donacioneve nga aleanca “COVAX” dhe Bashkimi Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës është raportuar…