
Sot protestohet në Hagë kundër Gjykatës Speciale
Nga Kosova, Shqipëria, vende të ndryshme të Evropës e nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shqiptarët janë nisur për të udhëtuar drejt Holandës. Sot në qytetin holandez do të mbahet një protestë masive në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale.
Në kohën kur pritet të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë, shqiptarët nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të japin mesazhin e tyre për këtë proces.
Atje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në një proces të tejzgjatur gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ata akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka vënë mbi ta.
Katërshja e UÇK-së ndodhet në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023.
Prokuroria e ka mbyllur çështjen e saj në prill të këtij viti ndërkohë, më 15 shtator do të nisë paraqitja e provave nga ekipet mbrojtëse. /Kosovapress/