Sot shënohet Dita Globale e Zgjedhjeve
Sot shënohet Dita Globale e Zgjedhjeve – një ditë që rikujton se votimi është një nga të drejtat më themelore qytetare dhe mënyra kryesore përmes së cilës qytetarët e manifestojnë vullnetin e tyre në mënyrë demokratike.
Kjo e drejtë ka kuptim vetëm kur procesi zgjedhor është i besueshëm dhe rezultati i tij pranohet si i tillë.
Në Kosovë, procesi i fundit zgjedhor ende nuk është mbyllur plotësisht. Dyshimet për manipulime dhe zvarritjet në përfundimin e procedurave paszgjedhore nuk janë thjesht çështje teknike. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e publikut dhe në mënyrën se si qytetarët e shohin vlerën e votës së tyre.
Zgjedhjet nuk janë vetëm dita e votimit, por një proces i tërësishëm që kërkon standarde të qarta dhe zbatim të barabartë në çdo fazë të tij.
Andaj, Demokracia në Veprim (#DnV) do të vazhdojë të monitorojë dhe të kërkojë transparencë e llogaridhënie deri në përmbylljen e plotë të procesit. Integriteti zgjedhor është kushti minimal për një demokraci dhe institucione që funksionojnë.



