Sot votohet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

06 tetor 2019 | 07:24

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili do të zgjidhet më pas edhe qeveria e re e Kosovës me mandat katërvjeçar.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Vendvotimet janë hapur në orën 7:00, sipas kohës së rregullt. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

“I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kena kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës”, ka thënë Daka.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Të gjitha subjektet garuese, kanë hyrë në ditën e zgjedhjeve pas 10 ditëve të fushatës zgjedhore.

Në listën përfundimtare, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve është 1,937.868, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, përkatësisht 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se sa numri i votuesve.

Votimet, sipas KQZ-së do të mbahen në 895 qendra votimi me 2,547 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te…