Spanca përmend në Kuvend mbi 900 mijë eurot për paga për serbët që s’kanë shkuar fare në punë

27 tetor 2022 | 15:29

Auditorja e përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, ka përmendur edhe para deputetëve të Kuvendit pagesat për serbët, pa shkuar fare në punë.

Ajo në seancë plenare, derisa ka paraqitur konkluzionet e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021, ka thënë se janë kryer pagesa mbi 900 mijë euro për punonjësit e komunitetit serb, të cilët nuk kanë shkruar fare në punë.

Me 66 vota për janë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me këtë raport.

Para deputetëve, Spanca ka thënë se konkluzionet janë se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare.

“Për raportin vjetor financiar të qeverisë për buxhetin e Kosovës është dhënë opinion i modifikuar, përkatësisht opinion i kualifikuar. Arsyet e modifikimit të opinionit për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyrat financiare ka qenë materiale. Shpenzimet në vlerë prej 13 milionë euro janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq-klasifikuar nëntë milionë e 300 mijë euro, mandej për shkak të vendimeve gjyqësore afër dy milionë euro, ndërsa si të ndikuara nga vet organizatat buxhetore, vlera e keq-klasifikimeve ishte afër dy milionë euro”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar, keqklasifikimi që lidhet me vendime gjyqësore është zvogëluar për katër milionë euro.

Auditorja e përgjithshme ka përmendur edhe pagesat prej mbi 900 mijë euro për punonjësit serbë.

“Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi 900 mijë euro për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të marrëveshjes së Brukselit, pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë. Në këtë raport për vitin 2021, po ashtu kemi dhënë konkluzione të pajtueshmërisë të përmbledhur nga auditimi i 90 organizatave buxhetore”, ka shtuar Spanca.

Spanca ka shtuar se vlera e borxhit të përgjithshëm publik ka arritur në mbi 1 miliard euro.

Ajo ka përmendur edhe disa nga konkluzionet që ka nxjerrë Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin e kaluar.

Zyra Kombëtare e Audimit gjatë sezonit të vitit të kaluar ka nxjerrë 90 raporte të auditimeve financiare, 12 raporte të auditimit të ndërmarrjeve publike, 13 raporte të auditimit të projekteve të donatorëve, tri raporte të pajtueshmërisë prej tyre dy raporte me infomarmata të klasifikuara, 14 raporte të auditimit të performancës.

Me 66 vota për janë miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Në seancën e sotme plenare, me 63 vota për është miratuar edhe raporti vjetor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, pas takimit…