Spanja para dyndjes së turistëve këtë verë
Pavarësisht krizave, gjermanët duket, se nuk duan të kursejnë kur bëhet fjalë për pushimet. Spanja është mjaft e preferuar dhe pret këtë vit 100 milionë vizitorë.
Fundjavës filluan pushimet e Pashkëve në shumë lande gjermane. Megjithatë, sipas Patrick Le Metayer, drejtues i resortit të kampingut “La Marina” pranë Alicante-s, në Spanjë sezoni i verës mund të quhet tashmë i hapur: “Vijnë kaq shumë njerëz nga brenda dhe jashtë vendit.” Ai pret më shumë se 2.300 pushues. Pothuajse të gjitha bungalot dhe vendparkimet për shtëpitë mobile janë të rezervuara. Rreth 40 për qind e vizitorëve janë gjermanë.
Shumë qytete spanjolle – veçanërisht të kërkuara
Resorti i Le Metayer ndodhet në një zonë që aktualisht është ndër më të kërkuarat: Alicante, në bregdetin mesdhetar të Spanjës. Portali i prenotimeve Expedia raporton 75 për qind më shumë kërkesa për fluturime drejt këtij destinacioni krahasuar me një vit më parë. Por edhe qytete të tjera spanjolle po përjetojnë rritje të ndjeshme. 60 për qind më shumë njerëz sesa pranverën e kaluar interesohen për Seviljen; 50 për qind më shumë për Malagën dhe Madridin.
Para nisjes së madhe të valës së udhëtimeve këtë fundjavë, familja gjermane Feldcamp, e cila ndodhet në Alicante e shpjegon, se pse e zgjodhën këtë destinacion? “Kam qenë këtu dikur me prindërit e mi”, thotë Daniel. “Pastaj menduam: pse të mos kthehemi sërish?” Me shumë gjasë kështu po mendojnë edhe shumë gjermanë në këtë periudhë.
Sigura luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm
Në kohë krizash duket se vlejnë dy gjëra për gjermanët. Së pari: Sipas analizës së udhëtimeve të FUR (Forschungsgemeinschaft Urlaub und Reisen), “pavarësisht vlerësimit relativisht negativ të gjendjes ekonomike, planet e pushimeve të gjermanëve janë shumë pozitive”. 76 për qind e popullsisë planifikojnë të udhëtojnë në vitin 2026. Si motiv, 65 për qind e njerëzve thonë se kërkojnë “distancë nga përditshmëria”. Dhe gjermanët janë të gatshëm të shpenzojnë shumë për këtë. Vitin e kaluar, sipas FUR, ata shpenzuan 92 miliardë euro – më shumë se kurrë më parë.
Aktualisht duket gjithashtu se: destinacioni mund të jetë një vend i provuar dhe i njohur. Organizatori më i madh gjerman i udhëtimeve, TUI, flet për një “interes të rritur ndjeshëm për pushime në Spanjë dhe Greqi”. Në pushimet që tani nisin, për shkak të kërkesës së lartë, do të ketë 68 fluturime shtesë – për shembull drejt Mallorcas, Fuerteventuras apo Kretës.
Jugu i Evropës përfiton jo vetëm nga dëshira e madhe e gjermanëve për të udhëtuar, por edhe nga kriza në Lindjen e Afërt. Grupi Lufthansa ka anuluar fluturime drejt rajonit. “Situata aktuale gjeopolitike po ka ndikim të ndjeshëm”, thuhet nga operatori Schauinsland Reisen. Kërkesa po zhvendoset qartësisht drejt Greqisë dhe Spanjës. Në Spanjë pritet tashmë një rekord i ri turistik. Flitet për 100 milionë turiste dhe turistë të huaj gjatë këtij viti – tre milionë më shumë se vitin e kaluar. /DW



