Specializantët paralajmërojnë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë

25 prill 2022 | 15:27

Specializantët e të gjitha Klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shprehur pakënaqësi për pagesat e kujdestarive. Duke i konsideruar këto pagesa si jo të barabarta, dhe në kundërshtim me Ligjin e punës, ata po paralajmërojnë edhe padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë (MSh).

Përfaqësuesi i Këshillit të Specializantëve, Urim Çerkini, ka thënë për “Kosovapess” se krahas organizimeve të tyre sindikale dhe takimeve me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, përveç premtimeve, ende nuk ka reflektim për problemet e tyre.

Çerkini ka thënë se shqetësim i tyre kryesor është pagesa e ulët e kujdestarive gjatë fundjavës, të cilat po u paguhen sikurse kujdestaritë gjatë ditëve të punës, ndërsa kërkesë e vazhdueshme e specializantëve me vetëfinancim mbetet kthimi i tyre në specializantë të rregullt.

“Shqetësimi ynë si mjek specializant është çështja e kujdestarive të fundjavave të cilat nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë paguhen njëjtë sikurse ato të ditëve të punës dhe sikurse ato të fundjavës e që është shkelje e Ligjit të punës dhe për të cilin jemi konsultuar me juristin e Odës së Mjekëve të Kosovës dhe nëse asnjë nga format e organizimit tonë nuk do të ketë sukses atëherë jemi të detyruar që të ushtrojmë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë për shkelje të Ligjit të Punës… Padinë do e ushtrojmë në njërën prej gjykatave me siguri në atë në Prishtinë për shkak se qysh para vitit të ri kolegët nga Këshilli i specializantëve kanë pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për çështjen e kthimit të të gjithë specializantëve me vetëfinancim në formë të specializantëve me pagesë të rregullt, e i cili kolegëve tanë iu ka premtuar se kjo do të mund të realizohet shumë shpejt në janarin e hershëm dhe e ka konsideruar këtë si një çështje teknike, por tash e këto ditë nuk kemi ndonjë lëvizje nga ana e qeverisë me gjithë protestat që kemi organizuar dhe një marsh protestues që e kemi pasur, reflektimi nga ana e qeverisë ende mungon”, ka thënë  Çerkini.

Urim Çerkini, i cili aktualisht është specializant në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK, ka thënë se për shkak të kushteve jo të mira shumë specializantë po ikin nga Kosova.

Ai  ka deklaruar se mjekët e rinj që janë duke e kryer specializimin me vetëfinancim po dëmtohen edhe më shumë me pagesat e ulëta për kujdestaritë.

“Lëre që nuk ka paga për specializantët me vetëfinancim por tani dëmtohemi edhe me çështjen e pagesave të kujdestarive andaj sa më shpejt që të rregullohet kjo çështje aq më mirë do të jetë edhe për funksionimin e specializantëve ashtu edhe në mbarëvajtjen e punës në Klinikat e QKUK-së. Kur kemi parasysh se edhe një numër mjaft i madh i kolegëve tanë janë në ikje e sipër. Vetëm në Klinikën e Reumatologjisë ku unë specializoj nga nëntë specializantë, dy veçse kanë ikur në Gjermani, po ashtu edhe në Klinikën e Pulmologjisë ku tani jam rezidentë edhe aty kanë ikur 10 specializantë. Kur kësaj i shtojmë edhe pengesat që mjekët e rinj hasin për tu punësuar atëherë kjo do të ishte një shenjë alarmuese për MSh-në”, ka thënë ai.

Pagesat për kujdestari për specializantët e rregullt dhe me vetëfinancim kanë filluar të bëhet që nga janari i këtij viti.

Në fund të vitit të kaluar specializantët e të gjitha Klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës me financim nga Ministria e Shëndetësisë, por edhe ata të cilët janë me vetëfinancim kanë mbajtur disa protesta. Kërkesë kryesore e tyre ka qenë që atëherë kthimi i tyre nga specializantë me vetëfinancim në të rregullt dhe pagesa e kujdestarive sidomos të atyre të vikendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka…