Specialja s’ndalet pa e kryer qëllimin për të cilin është krijuar

22 janar 2018 | 19:16

Njohësi i proceseve politike, Belul Beqaj, ka bërë me dije se Gjykata Speciale nuk do të ndalet pa e kryer qëllimin për të cilin është krijuar.

Ai e ka ftuar kryesinë e Kuvend të bëjë kujdes me këtë çështje, duke shtuar se më e rëndësishme se çdo procedurë është vlerësimi për pasojat që mund t’i sjellë vendit procedimi i mëtutjeshëm i kësaj iniciative.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se damka që i është veshur Kosovës hiqet vetëm nëse ballafaqohemi me argumentet e atyre që kanë krijuar dyshime se janë kryer krimet që janë duke hetuar.

“Më e rëndësishme se çdo procedurë është vlerësimi real i kryesisë së Kuvendit për pasojat që sjell eventualisht procedimi i mëtutjeshëm i kësaj iniciative për imazhin e shtetit të Kosovës ngaqë Gjykata Speciale nuk do të ndalet pa e kryer qëllimin për të cilin është krijuar”, ka thënë Beqaj.

Ai i ka kritikuar deputetët nënshkrues të iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Specialen, duke thënë se nuk është dashur fare ta nisin këtë iniciativë. Sipas tij, sikur ata deputetë të ishin në lartësinë e përgjegjësisë së duhur nuk do ta sillnin situatën në pikën e një paniku. “Sikur nënshkruesit ta kishin përgjegjësinë e duhur, integritetin personal, sikur ata ta kishin guximin e duhur në kohën e duhur, nuk do ta nënshkruanin peticionin. Me gjasë, disa do t’i tërheqin nënshkrimet jo pse janë të përgjegjshëm, por pse janë hipokritë. Pra, ata nuk i heqin nënshkrimet për shkak të ndërkombëtarëve, por për shkak të atyre në shërbim të të cilëve janë. Sikur të ishin deputetë në lartësinë e përgjegjësisë së duhur nuk do ta sillnin veten, Kosovën, as ndërkombëtarët, në panik!”, ka thënë Beqaj.

Analisti politik ka komentuar edhe qëndrimin e LDK-së për këtë çështje. Sipas tij, ky subjekt politik kundërshtimin ndaj shfuqizimit të Speciales më shumë po e bën për nevoja politike sesa si kauzë humane dhe e drejtësisë. “Fatkeqësisht, LDK-istët çështjen e hakmarrjes politike e kanë ngritur më shumë për nevoja politike sesa si kauzë humane dhe të drejtësisë. Rrjedhimisht, kundërshtimi i peticionit nuk po bëhet për arsye humane dhe të drejtësisë, por më shumë për shkak të përfitimit politik. Sa herë që janë akomoduar në pushtet i kanë harruar aktivistët e vrarë. Sa herë që kanë pasur rastin të përfitojnë sa më shumë pushtet i kanë instrumentalizuar edhe kufomat e të vrarëve!”, ka thënë Beqaj.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për mundësinë e kalimit të demarkacionit në Kuvend dhe për funksionimin e koalicionit qeverisës. “Nga të gjitha qeveritë e pas luftës, kjo është e vetmja qeveri që pasigurinë e jetësisë e ka të sigurt”, është shprehur Beqaj.

“Epoka e re”: Sërish ka dështuar mbajtja e mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, në të cilën pritej të shqyrtohej iniciativa e disa deputetëve për shfuqizimin e Speciales. Si duhet ta trajtojë kryesia këtë çështje?
Beqaj: Më e rëndësishme se çdo procedurë është vlerësimi real i kryesisë së Kuvendit për pasojat që sjell eventualisht procedimi i mëtutjeshëm i kësaj iniciative për imazhin e shtetit të Kosovës ngaqë Gjykata Speciale nuk do të ndalet pa e kryer qëllimin për të cilin është krijuar. Në këtë kuptim, duhet vlerësuar qëndrimin e drejtë të kryeparlamentarit Kadri Veseli, që është distancuar nga kjo nismë, ndonëse nuk duhet amnistuar përgjegjësia pse Kosova ka ardhur në këtë gjendje, sikurse edhe deklarimet e anëtarëve me ndikim të PDK-së, Xhavit Haliti dhe Rrustem Mustafa, që janë të interesuar për t’u zbardhur e vërteta për dyshimet e supozuara të krimeve. Njolla që i është mveshur Kosovës hiqet vetëm nëse ballafaqohemi me argumentet e atyre që kanë krijuar dyshime se janë kryer krimet që janë duke hetuar.

“Epoka e re”: Meqenëse një iniciativë e tillë ka hasur në kundërshtim të fortë te ndërkombëtarët dhe te një pjesë e spektrit politik, a do të duhej që nënshkruesit e kësaj nisme ligjore të hiqnin dorë nga nënshkrimet?
Beqaj: Sikur nënshkruesit ta kishin përgjegjësinë e duhur, integritetin personal, sikur ata ta kishin guximin e duhur në kohën e duhur, nuk do ta nënshkruanin peticionin. Me gjasë, disa do t’i tërheqin nënshkrimet jo pse janë të përgjegjshëm, por pse janë hipokritë. Pra ata nuk i heqin nënshkrimet për shkak të ndërkombëtarëve, por për shkak të atyre në shërbim të të cilëve janë. Sikur të ishin deputetë në lartësinë e përgjegjësisë së duhur nuk do ta sillnin veten, Kosovën, as ndërkombëtarët, në panik!

“Epoka e re”: Edhe një herë ambasadori amerikan ka paralajmëruar pasoja për liderët politikë dhe deputetët që do ta përkrahin shfuqizimin e Ligjit për Specialen. Pritni se do të kenë efekte këto paralajmërime?
Beqaj: Para disa vjetëve, me qëllim të parandalimit të ndikimit negativ, e kam publikuar letrën e hapur ndaj zyrtarëve të lartë perëndimorë të cilët, në vend se ta ngrehin nivelin e lidershipit politik të Kosovës në nivel të vlerave perëndimore, e kanë degraduar veten në nivelin e antivlerave të Ballkanit. Pra, s’do mend se ky lidership është ngritur më së shumti me fajin tonë, por një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë bie mbi zyrtarët perëndimorë, veçmas ata amerikanë të cilët, sa për ilustrim, kryeprotagonistin e raportit të Dik Martit, Hashim Thaçin, e cilësuan si Xhorxh Uashingtoni i Kosovës. Kështu që, bënë dy gabime. Në njërën anë, pa kurrfarë merite, iu dha epiteti Xhorxh Uashington, në anën tjetër nxitën dyshimin se, a mos vallë edhe Xhorxh Ushingtoni paska qenë si Hashim Thaçi!?

“Epoka e re”: LDK-ja prej fillimit e ka kundërshtuar këtë iniciativë. Si e keni parë këtë qëndrim të saj?
Beqaj: Fatkeqësisht, LDK-istët çështjen e hakmarrjes politike e kanë ngritur më shumë për nevoja politike sesa si kauzë humane dhe të drejtësisë. Rrjedhimisht, kundërshtimi i peticionit nuk po bëhet për arsye humane dhe të drejtësisë, por më shumë për shkak të përfitimit politik. Sa herë që janë akomoduar në pushtet i kanë harruar aktivistët e vrarë. Sa herë që kanë pasur rastin të përfitojnë sa më shumë pushtet i kanë instrumentalizuar edhe kufomat e të vrarëve.

“Epoka e re”: Kuvendi së shpejti pritet ta shqyrtojë edhe demarkacionin me Malin e Zi. Cilat janë gjasat që kjo marrëveshje të kalojë?

Beqaj: Kryeministri, për “hir të qytetarëve dhe miqve ndërkombëtarë”, do ta bëjë kompromisin që ia zgjatë jetën kësaj qeverie, së paku edhe një ditë.

“Epoka e re”: Partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme rreth Speciales dhe demarkacionit. Sa gjatë mund të qëndrojë kjo qeveri?
Beqaj: Nga të gjitha qeveritë e pas luftës, kjo është e vetmja qeveri që pasigurinë e jetësisë e ka të sigurt.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Open Data Kosovo”, përfaqësuar nga Blerta Thaçi, Dafina Olluri dhe…