SPECIALJA, TEPËR SPECIALE E HAGËS

24 nëntor 2025 | 16:06

Lulëzim ETEMAJ

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë na e dëshmojnë edhe një herë se s’kanë asnjë lidhje me Kosovën. Ato kanë caktuar mbajtjen e një konference përgatitore ndaj ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pikërisht më 28 Nëntor- ditën më të shenjtë të historisë, identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.
28 Nëntori nuk është një datë e zakonshme në kalendarin tonë historik kombëtar.
Është dita kur Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, duke shënuar ringritjen e dinjitetit shqiptar; është dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë; është ditëlindja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe, njëkohësisht, dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), forcës që mishëroi aspiratat e çlirimit dhe lirisë së popullit tonë.
Për këtë arsye, caktimi i një seance gjyqësore në këtë datë të shenjtë për ne paraqet një mungesë të thellë ndjeshmërie, respekti dhe kuptimi për historinë, sakrificat dhe simbolikën tonë kombëtare. Ky veprim e forcon bindjen se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, në vend që të jenë institucione të drejtësisë, po shfaqen si struktura të shkëputura nga realiteti i Kosovës dhe, siç shihen nga shumë, si institucione me karakter të përndjekjes politike.
Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet mbi parime të drejtësisë, paanshmërisë dhe respektit. Vendimmarrja për mbajtjen e kësaj seance në datën më domethënëse të kombit shqiptar dërgon një mesazh krejt të kundërt.
Siç po duket është e tepërt të pritet nga Specialja e Hagës respekt për ndjenjat tona kombëtare dhe trajtim dinjitoz të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina ka thirrur…