Sqarim lidhur me shkrimin e publikuar nga AKP-ja: Auditimi i procesit të qiradhënies së aseteve të NSH-ve për periudhën 2012-2021

08 shkurt 2023 | 11:20

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes kësaj komunikate për media njofton opinionin publik se auditimi “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021” është kryer në përputhje të plotë me ISSAI4000 (Standardet dhe udhëzuesit për Auditimin e Pajtueshmërisë) të cilat janë esenciale për kredibilitetin, cilësinë dhe transparencën në auditimin e sektorit publik. Prandaj, konsideron se  deklarimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të prezantuara në lajmin “Auditimi i procesit të qiradhënies së aseteve të NSH-ve për periudhën 2012-2021” i cili ka të bëjë me përmbajtjen e raportit të auditimit të ZKA-së i publikuar së fundmi, janë të paqëndrueshme.

Gjithashtu, lidhur me deklarimet e AKP-së se “ZKA gjatë këtij procesi ka audituar rreth 200 kontrata të qiradhënies, prej të cilave i ka nxjerrë 14 të gjetura (të 24 kontratave) apo 12% të mostrave e jo assesi 41% të mostrave siç deklaron Auditorja e Përgjithshme në konferencat për media”, duam të vëmë në pah se gjatë procesit të auditimit për të hyrat nga qiraja në AKP, ekipi i auditimit ka testuar 53 mostra që përfaqësojnë qiramarrësit të cilat përfshijnë 290 kontrata. Nga testimi i këtyre 53 mostrave ZKA-ja ka identifikuar dobësi në 22 mostra e që në përqindje është 41.5% të mostrave.

Rezultatet e auditimit të prezantuara në raport bazohen në dëshmitë e marra nga entitetet që i nënshtrohen auditimit dhe prezantojnë gjendjen reale të institucionit relevant. Sikurse në të gjitha rastet edhe në rastin e auditimit të të hyrave nga qiraja në AKP për periudhën 2012-2021, ZKA-ja ka zhvilluar një komunikim intensiv me zyrtarët e AKP-së për të konfirmuar të gjitha dëshmitë dhe gjetjet e prezantuara në raport. Komentet e AKP-së gjithashtu janë publikuar dhe janë pjesë e raportit. Qëllimi i auditimit është t’i ofrojë institucionit të audituar një mendim profesional lidhur me gjendjen faktike të institucionit dhe mundësitë për të përmirësuar menaxhimin më tutje. Na gëzon fakti që AKP-ja ka ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe ka deklaruar se do të përpilojë planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar që të kryej punën e saj sipas mandatit kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve auditime cilësore të cilat kryhen duke u bazuar në ligjet dhe rregullat në fuqi si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit për Institucionet Supreme të Auditimit.

Raportin e plotë të auditimit e gjeni në: “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në Gjilan ka…