Sreqko Spasiq heq dorë nga gara në Kllokot dhe i bashkohet Listës Serbe
Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb” i është bashkuar Listës Serbe, parti nga e cila ka qenë kundërkandidati i tij.
Sipas një njoftimi nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – Spasiq së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan kësaj partie, duke shtuar se ata “besojnë pa rezerva në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Sipas rezultateve preliminare, në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale Spasiq do të përballet me kandidatin e Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të kuptuar nëse në Kllokot do të mbahet rundi i balotazhit më 9 nëntor, pas vendimit të Spasiqit, dhe është në pritje të përgjigjes.
Spasiq tha se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe, që tha se është “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.
“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim, raporton REL.
Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe që ka shkuar në balotazh, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe ka fituar qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 12 tetor.
Sipas rezultateve, në rundin e parë Bozhidar Dejanoviq fitoi 893 vota apo 41.38 për qind, ndërkaq Sreqko Spasiq 674 vota apo 31.23 për qind.



