Lushtaku: Koalicioni me LV-në është i pamundshëm, episodi i qeverisë Kurti ka përfunduar

03 nëntor 2025 | 13:23

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se një koalicion parazgjedhor në mes të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje është i pamundshëm edhe nëse kryeministri në detyrë Albin Kurti e ndryshon qasjen gjatë fushatës.

Duke folur në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”, Lushtaku është shprehur i bindur se mandati i qeverisë Kurti ka përfunduar me këto katër vjet.

“Unë besoj që episodi i qeverisë Kurti ka përfunduar me këtë mandat dhe çdo skenar me Vetëvendosjen është i pamundshëm në zgjedhjet e ardhshme dhe në koalicionet që mund të imagjinohen. Do të luftoj kundër çdo koalicioni të ardhshëm me Vetëvendosjen, sepse ata e kanë treguar më së miri fytyrën e vet kur e kanë marrë pushtetin, duke nënçmuar çdo vlerë të kësaj shoqërie, përfshirë UÇK-në. Kjo e bën të pamundur që ne të kemi një koalicion me LV-në”, ka deklaruar Lushtaku.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka kërkuar nënshtrim e jo partneritet nga partitë tjera politike.

“Albin Kurti kurrë nuk ka kërkuar partneritet, por nënshtrim me të gjitha partitë. Ne këtë qasje autoritare nuk e përballojmë. Ne kemi luftuar me mjete të tjera para çlirimit, por tani do të luftojmë në mënyrë demokratike, me fjalën dhe veprimin për ta ndryshuar këtë gjendje dhe për t’i kthyer dinjitetin Kosovës. Pavarësisht nëse je fitues i garës, qoftë edhe me 1 për qind, ke përgjegjësi më të madhe për formimin e institucioneve, e jo të sillesh si autoritar e fyes”, ka shtuar Lushtaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident me fatalitet ka ndodhur të dielen në mbrëmje,…