Statusi juridik i bashkësive fetare po zvarritet pa arsye

17 qershor 17:10

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka bërë thirrje që të zgjidhet statusi juridik i bashkësive fetare.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tërnava ka theksuar se pa arsye është duke u zvarritur statusi juridik i bashkësive fetare. Ai ka thënë se draftiligji i cili tanimë është në Kuvend nuk u jep zgjidhje bashkësive fetare, megjithatë ato i vë në kuadër të ligjit.

Tërnava ka pohuar se duhet të gjendet zgjidhje që imamët dhe nëpunësit e BIK-ut të kenë pagë të pranueshëm dhe të dinjitetshme. Në këtë intervistë Tërnava ka folur edhe për sfidat me të cilat përballet institucioni që drejton.

Ai ka theksuar se ndër sfidat e BIK-ut janë edukimi dhe ruajtja e besimtarëve në rrugën e drejtë, luftimi i doktrinave ekstremiste, parandalimi i dukurive negative si vetëvrasjet dhe përdorimi i narkotikëve. Tërnava ka bërë me dije se xhamia qendrore në kryeqytet do të ndërtohet këtë vit.

“Epoka e re”: Myfti Tërnava, si po e përmbyll Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) muajin e Ramazanit? Sa keni arritur që gjatë këtij muaji t’u dilni në ndihmë atyre që kanë pasur nevojë?
Tërnava: Muajin e agjërimit, Ramazanin, po e mbyllim me një sërë aktivitetesh që Kryesia, Këshillat tanë dhe institucionet tona kanë zhvilluar në terren, ku kemi qenë së bashku me besimtarët tanë, me të cilit kemi ndarë një pjesë të konsiderueshme të këtij muaji me lutje e ibadete. Po ashtu, gjatë aktiviteteve tona në terren kemi realizuar një projekt të cilit i ka prirë kryimami, me të cilin nëpër xhamitë tona kemi mbajtur ligjëratë tematike (vai’ze) kushtuar agjërimit të Ramazanit, pra u jemi përgjigjur interesimit të besimtarëve tanë sepse, siç dihet, gjatë këtij muaji besimtarët shtojnë dukshëm ibadet dhe janë në numër më të madh në xhami në të gjitha namazet, posaçërisht në namazin e xhumasë dhe teravive.

Përveç këtyre ne kemi organizuar edhe një sërë iftaresh anekënd vendit, ku kemi takuar qoftë strukturat tona, e më tepër besimtarët tanë. Pra, kemi pasur një sërë aktivitetesh që janë realizuar me sukses. Përveç aktiviteteve tona në terren, një kujdes të veçantë ua kemi kushtuar kategorive në nevojë që, për fat të keq, te ne janë shumë. BIK-u përmes Shoqatës “Bereqeti”, në koordinim me degët e veta në terren, anekënd Kosovës jemi munduar që atyre kategorive t’u dalim në ndihmë me artikuj ushqimorë dhe me veshmbathje. Gjatë Ramazanit shoqata “Bereqeti” ka ndihmuar rreth 25 mijë familje. Për këtë ndihmë u jemi mirënjohës donatorëve tanë që na mbështetën në këtë mision fisnik.

“Epoka e re”: Cila është sot gjendja e myslimanëve në Kosovë dhe me çfarë sfidash është duke u ballafaquar BIK-u?
Tërnava: Gjendja e besimtarëve tanë sot është gjendje e popullit tonë. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi një gjendje jo të mirë socio-ekonomike, kemi papunësi dhe mungesë të perspektivës për brezin e ri. Duhet të bëhet më shumë nga të gjithë që kjo situatë të ndryshojë për së miri, në mënyrë që vendi ynë të bëhet vend ku mund të jetohet me dinjitet e perspektivë, ndërsa sa iu përket sfidave me të cilat përballet BIK-u, mund të themi se kemi një sërë sfidash.

Sfida për ne janë edukimi dhe ruajtja e besimtarëve në rrugën e drejtë. Shohim dhe jemi dëshmitarë që të rinjtë tanë përballen me dukuri negative, siç janë mësimet e doktrinave ekstremiste, politizimi i fesë, pastaj dukuritë negative siç janë vetëvrasjet, përdorimi i narkotikëve etj. Ne si BIK, por edhe institucionet e tjera duhet të kujdesimi dhe të bëjmë atë që është në dorën tonë, ta edukojmë, ta fisnikërojmë dhe përgatisim rininë që mos të bie pre e doktrinave ekstreme të cilat sot janë problem në mbarë botën, dhe as mos të jenë pjesë e dukurive negative. E ardhmja jonë është rinia. Nëse kemi një rini mirë të edukuar, të ngritur dhe të arsimuar, atëherë e ardhmja jonë si shoqëri s’ka dyshim se do jetë e mirë dhe e ndritshme. Së pari, BIK-u ka telashe me sigurimin e të ardhurave personale për të punësuarit e vet. Kemi një numër të konsiderueshëm të imamëve që marrin paga minimale dhe jo me rregull. Duhet angazhim që të gjejmë zgjidhje që imamët dhe nëpunësit e BIK-ut të kenë pagë të pranueshëm dhe të dinjitetshme. Imamët janë prijës të xhematit. Nuk mund të lihen në mëshirën e askujt. Është e udhës që për ta të ndahet buxhet nga shteti. Pastaj, ende nuk është zgjidhur statusi juridik i bashkësive fetare. Mendoj se kjo po zvarritet pa arsye, ani pse edhe drafti i tanishëm që është në Kuvend nuk u jep zgjidhje bashkësive fetare, por të paktën bashkësitë fetare i bënë subjekte juridike, pra i vënë në kuadër të ligjit. Po e përsëris se ligji lë shumë për të dëshiruar dhe nuk i përgjigjet realitet të Kosovës.

“Epoka e re”: Krahas aktiviteteve nëpër xhami dhe medrese, kohët e fundit keni nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, ku keni ofruar në dispozicion disa imamë për të ligjëruar nëpër burgjet e Kosovës kundër radikalizmit. Çfarë ndikimi do të kenë këto ligjërata?
Tërnava: Marrëveshja me Ministrinë e Drejtësisë, që imamët tanë të ligjërojnë në burgjet e Kosovës, është një marrëveshje në mes dy institucioneve që duhet parë në kuadër të koordinimit ndërinstitucional për deradikalizimin dhe interpretim të drejtë të parimeve islame. Imamët tanë do t’u përgjigjen interesimit të atyre që vuajnë dënimet. Jemi të bindur se kjo do të ketë ndikim pozitiv. Aty imamët tanë do t’i shpjegojnë parimet bazike të fesë, larg mësimeve e interpretimeve të ngurta e të politizuara. Këso marrëveshje është e udhës të nënshkruhen edhe me institucionet e tjera. Të gjitha institucionet duhet të bashkëpunojnë më shumë në funksion të vendit dhe të shoqërisë.

 “Epoka e re”: Bashkësia Islame e Kosovës dhe ju personalisht në të kaluarën keni qenë të angazhuar në lobim për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën. Në opinion publik sot po shiheni pasiv. Pse
Tërnava: Nuk mund të flitet për pasivitet. Kudo jemi ne, gjithherë brenda mundësive tona lobojmë për vendin tonë, qoftë gjatë vizitave jashtë vendit apo në takimet që realizojmë këtu në Kosovë me mysafirët që takojmë. Në vazhdimësi mundohemi të jemi në shërbim të vendit.

“Epoka e re”: Ka disa vjet që mediet e bëjnë të njëjtën pyetje, se kur do të nisë ndërtimi i xhamisë së madhe? Z. Tërnava, pse është duke u zvarritur kjo çështje kaq shumë, apo jeni duke u treguar të pafuqishëm si BIK?
Tërnava: Nuk flitet këtu për fuqi a pafuqi. Me kësmet, xhamia qendrore do të nisë së ndërtuari këtë vit. Jemi në fazën e fundit të përpilimit të projektit. Pasi të përfundojë projekti do të aplikojmë për leje dhe do ta nisim ndërtimin e xhamisë. E përsëris, me kësmet të Zotit, xhamia do të nisë këtë vit.

Besimtarëve u dëshiroj mbarësi, paqe, harmoni, dashuri dhe solidaritet

“Epoka e re”:Myfti Tërnava, cili është mesazhi juaj për besimtarët e besimit islam me rastin e festës së Fitër Bajramit?

Tërnava: Të gjithë besimtarëve u dëshiroj mbarësi, paqe, harmoni, dashuri, respekt e solidaritet. Ramazani është muaj i sakrificës, i përkushtimit e i ibadettit. Lusim Zotin ta pranojë agjërimin tonë dhe Fitër Bajramin ta presim me gëzim e lumturi.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari shumëvjeçar i shumë medieve fizike dhe elektronike të Kosovës,…