Studentët e Fakultetit Juridik sërish ekipi i vetëm nga Ballkani që kualifikohen në rundet finale të garës prestigjioze “Nuremberg Moot Court 2026”

10 qershor 2026 | 10:38

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës e përsërisin suksesin e jashtëzakonshëm duke u kualifikuar sërish si ekipi i vetëm nga universitetet e Ballkanit për rundet finale me gojë në  garën prestigjioze të drejtësisë “Nuremberg Moot Court 2026”, që do të mbahen në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr. 600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore).

Për rundet finale me gojë që do të zhvillohen me 22-25 Korrik 2026 në Nuremberg (Gjermani) janë kualifikuar 40 ekipe nga fakultete juridike/universitete prestigjioze në nivel botëror.

Ky është një sukses dhe mundësi e jashtëzakonshme e shkëmbimit të dijës nga fusha e së drejtës penale ndërkombëtare në një komunitet të juristëve të karrierës (profesorëve dhe gjyqtarëve të kësaj fushe, që janë edhe pjesë e jurisë) ku simulohet praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC). Ekipi i Fakultetit Juridik UP në Nuremberg Moot Court 2026 përfaqësohet nga studentet e dalluara: Ajona Mirena, Betina Dashi, Doruntina Salihu dhe Genta Tahiraj.

Gara e drejtësisë “Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave me prestigjioze botërore, e që nga viti 2022 është pjesë integrale e programit të përhershëm të Fakultetit Juridik të UP-së, pas reformave dhe akreditimit të programit BA.

Me ketë sukses të përsëritur të studentëve, dëshmohet se Fakulteti Juridik tashme ka konsoliduar një traditë të përfaqësimit në forume ndërkombëtare, në veçanti në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare dhe po ndërton një brez të juristëve të së ardhmes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Safet Gërxhaliu Një nga paradokset më të mëdha të…