Studentët e infermierisë njoftohen për punësim në Gjermani

24 prill 2018 | 17:46

Është mbajtur ceremonia e “Interpersonnel Kosova” dhe “Dekra” lidhur me njoftimin e punësimit të studentëve të infermierisë në Gjermani.

Infermierët fillimisht do të kryejnë trajnimin dhe mësimin e gjuhës gjermane, si dhe do të paguhen me pagë prej 1 500 euro.

Po ashtu, ata do të pajisen me viza dhe do të integrohen në jetën shoqërore. Drejtori i “Interpersonnel Kosova”, Musa Ahmeti, ka theksuar se ky punësim është mundësuar falë bashkëpunimit me kompaninë “Dekra”.

“Ne punojmë me infermierë dhe mësimin e gjuhës së tyre. Ata e kanë punën e garantuar. Ne nuk përgatisim kuadro vetëm sa për të dalë jashtë, por që ata të jenë të gatshëm për tregun e punës. Kushtet për punësim janë: diploma, licenca e punës dhe dokumentacioni që nuk janë nën hetime”, është shprehur Ahmeti.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka thënë se Kosova është duke bërë një udhëtim për të parë zhvillimin ekonomik. Ai ka thënë se synimi i tyre është për të pasur investim në arsim. “Çdo investim që bëjmë në të rinjtë tanë është për të qenë të gatshëm për tregun e punës. Kjo është gjëja më e mirë që mund ta bëjmë”, ka thënë Bytyqi.

Në anën tjetër, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka thënë se në vazhdimësi janë duke u përpjekur që të rinjtë të jenë më afër tregut të punës. “Në kuadër të ministrisë sonë ekzistojnë tetë qendra të aftësimit profesional që janë duke e bërë një punë për tregun e punës”, ka thënë Reçica.

Më tutje, zëvendësdrejtori i kompanisë “Dekra”, Dietmar Metzger, ka thënë se në esencë ideja për këtë punësim është që t’ju ofrojnë siguri studentëve të Kosovës.

“Në esencë ideja fillestare është të ofrojë siguri, dhe në këtë rast për studentët që janë pjesëmarrës në këtë institucion t’ju sigurohet punë në Gjermani, ku paga do të jetë 1 500 euro neto”, ka thënë Metzger.

A.Mavraj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tryeza e partive politike për tejkalim të krizës institucionale dhe…