Studentët përfitojnë 50 % zbritje në udhëtimet me tren
Kompania e hekurudhave Trainkos Sh.A. ka njoftuar se studentët në Kosovë mund të përfitojnë zbritje prej 50% në biletat e trenit, me kusht që të plotësojnë disa kritere të përcaktuara nga kompania.
Sipas njoftimit, për të përfituar nga kjo lehtësi, studentët duhet të posedojnë kartelën e studentit (ID) për vitin akademik aktual, ose në mungesë të saj, fletëpagesën e semestrit për vitin përkatës.
Ndërkohë, studentët e diplomuar (absolventët) që janë të liruar nga pagesat, duhet të paraqesin një vërtetim nga fakulteti që dëshmon statusin e tyre për vitin akademik aktual.
Në rastet kur studentët nuk kanë ID kartelë të fakultetit, ata mund të sigurojnë një vërtetim zyrtar nga fakulteti që konfirmon statusin e tyre si studentë aktivë.
Nga kompania Trainkos theksohet se këto kërkesa janë vendosur për të garantuar transparencë dhe verifikim të saktë të përfituesve të zbritjes.
“Falënderojmë studentët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre,” thuhet në njoftimin e Departamentit të Transportit të Udhëtarëve të Trainkos Sh.A.
Ky vendim, sipas kompanisë, synon të lehtësojë udhëtimet e studentëve drejt qyteteve të ndryshme të Kosovës dhe të mbështesë përdorimin e transportit publik si një alternativë më e lirë dhe e qëndrueshme.



