Suksesi i kësaj qeverie, aftësia për të mbijetuar

14 tetor 2020 | 11:08

Politologu Belul Beqaj ka kritikuar punën e deritashme të qeverisë Hoti.

Ai ka deklaruar se kjo qeveri as në planin e jashtëm dhe as në atë brendshëm nuk iu ka dhënë përgjigje nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se suksesi i kësaj qeverie është aftësia për të mbijetuar.

“Suksesi i kësaj qeverie është aftësia e mbijetesës. Përndryshe, në planin e brendshëm dhe të jashtëm nuk mund të veçojmë veprime të cilat kanë dhënë përgjigje për kërkesat, interesat dhe nevojat e qytetarëve. Në aspektin strukturor të brendshëm jemi para kolapsit”, ka deklaruar Beqaj.

Ai i ka kritikuar edhe subjektet opozitare. Sipas tij, opozita nuk po luan rolin që i takon dhe në këtë mënyrë po ia zgjatë jetën kësaj qeverie.

Beqaj ka vlerësuar se pret që pakënaqësia e shtresuar ndër vite e qytetarëve do të nxisë zgjedhje të reja në vend.

“Sjelljet e opozitës ia kanë mundësuar mbijetesën qeverisë përkundër faktit se shumica absolute e qytetarëve është e pakënaqur me qeverisje. Unë pres që pakënaqësia e shtresuar ndër vite, që po kulmon me keqqeverisje aktuale, do t’i nxisë zgjedhjet si mundësi e ndryshimit të politikëbërjes dhe të politikanëve”, është shprehur ai.

Duke folur për mungesën e konsensusit në mes të pozitës dhe opozitës për çështje nacionale, ai ka thënë se raportet e ndërsjella të subjekteve politike janë të ndotura.

“Përkundër faktit se kemi më shumë subjekte politike sesa që kemi nevojë, Kosova ka nevojë për freski politike që nuk ndikohet nga ndotjet e ndërsjella të kultivuara nder vite, veçmas të partive që kanë qenë dhe janë në pushtet dhe si arsye të vetme të bashkëpunimit e kanë interesin pavarësisht se njëra-tjetrën nuk dëshirojnë të shohin me sy?!”, është shprehur ai, duke shtuar se duhet mbështetur mocioni i mosbesimit i cili është iniciuar kohë më parë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Prandaj, për të mos dëmtuar qytetarët dhe Kosovën në vazhdimësi, krahas faktit se duhet mbështetur mocioni i LV-së për rrëzimin e qeverisë, duhet menduar edhe për krijimin e alternativës së modelit të deritanishëm të qeverisjes, të cilit mund t’i ndihmojë një subjekt i ri politik”, ka thënë Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të qeverisë Hoti?\
Beqaj: Suksesi i kësaj qeverie është aftësia e mbijetesës. Përndryshe, në planin e brendshëm dhe të jashtëm nuk mund të veçojmë veprime të cilat kanë dhënë përgjigje për kërkesat, interesat dhe nevojat e qytetarëve. Në aspektin strukturor të brendshëm jemi para kolapsit, në aspektin e jashtëm marrëveshjet e Uashingtonit janë zotime të cilat lënë për të dëshiruar, të cilat kanë thelluar divergjencën me BE-në dhe zgjidhjen definitive edhe pse po tentohet të “shitet” si “sukses historik”.

 “Epoka e re”: Sfidat kryesore të kësaj qeverie deri më tani kanë qenë menaxhimi i pandemisë dhe procesi i dialogut me Serbinë. Si e keni parë qasjen e qeverisë ndaj këtyre dy sfidave?
Beqaj: Realisht kjo qeveri është krijuar me paramendim se procesin e dialogut me Serbinë do ta përfundojë sipas skenarit të administratës amerikane, i cili, pas rezistencës së brendshme dhe të jashtme, e ndryshoi synimin e paralajmëruar me pompozitet për njohje reciproke dhe rrëshqiti në “normalizim të marrëdhënieve ekonomike?!” Së dyti, menaxhimi i çështjes së pandemisë është më shumë jashtë ndikimit qeveritar sesa pasojë e menaxhimit qeveritar. Fati është se fillimisht është trasuar rruga e duhur në luftën kundër pandemisë gjatë qeverisjes LV-LDK, përkatësisht Arben Vitisë e cila më shumë po vazhdon me inercion sesa me menaxhim.

 “Epoka e re”: Po opozita është duke e luajtur rolin që i takon ndaj qeverisë?
Beqaj: Jo. Sjelljet e opozitës ia kanë mundësuar mbijetesën qeverisë përkundër faktit se shumica absolute e qytetarëve është e pakënaqur me qeverisje. Unë pres që pakënaqësia e shtresuar ndër vite, që po kulmon me keqqeverisje aktuale, t’i nxisë zgjedhjet si mundësi e ndryshimit të politikëbërjes dhe politikanëve.

“Epoka e re”: Siç po shihet edhe në këtë legjislaturë nuk kemi ndonjë konsensus të pozitës dhe të opozitës për temat nacionale. A po dëmtohet Kosova nga mungesa e këtij konsensusi?
Beqaj: Raportet e ndërsjella të subjekteve politike janë të ndotura. Përkundër faktit se kemi më shumë subjekte politike sesa që kemi nevojë, Kosova ka nevojë për freski politike që nuk ndikohet nga ndotjet e ndërsjella të kultivuara ndër vite, veçmas të partive që kanë qenë dhe janë në pushtet dhe si arsye të vetme të bashkëpunimit e kanë interesin pavarësisht se njëra-tjetrën nuk dëshirojnë ta shohin në. Prandaj, për të mos dëmtuar qytetarët dhe Kosovën në vazhdimësi, krahas faktit se duhet mbështetur mocioni i LV-së për rrëzimin e qeverisë, duhet menduar edhe për krijimin e alternativës së modelit të deritanishëm të qeverisjes, të cilit mund t’i ndihmojë një subjekt i ri politik.

 “Epoka e re”: Partnerët e koalicionit qeverisës nga distanca kanë filluar ta diskutojnë çështjen e presidentit. Pritni që kjo çështje mund ta lëkundë koalicionin qeverisës dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja?
Beqaj: Fatkeqësisht presidenti është shndërruar si karrem zgjedhor dhe instrument i kalkulimeve politike. LDK-ja, përkatësisht Isa Mustafa, që e ka aktualizuar këtë para kohës, sot po thotë se nuk është koha të aktualizohet çështja e presidentit. Është koha që presidenti të zgjidhet me procedurë demokratike të drejtpërdrejtë ngaqë kështu si është, në vend se të jetë simbol i unitetit dhe stabilitetit, ai po paraqitet në rolin e pengesave dhe përçarjes politike.

Muahmet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka TEB Sh.A. në saje të risive teknologjike që janë…