Suma: Masat po respektohen, kemi nevojë për numër më të madh të policëve

19 shtator 2021 | 12:36

Në Komunën e Hanit të Elezit deri tani janë vaksinuar kundër Covidit mbi 5 mijë qytetarë. Ndërsa masat kundër Covidit të vendosura nga Qeveria e Kosovës, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka thënë se janë duke u respektuar.

Ai ka thënë se kjo komunë ka nevojë për numër më të madh të policëve, për ta monitoruar zbatimin e këtyre masave.

Suma ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar pas valës së fundit të pandemisë është rritur shumë. Në këtë fluks ai thotë se kërkesat janë shtuar edhe për shkak të ndalesave për qarkullim në kufi me Maqedoninë e Veriut.

“Në fillim, numri i qytetarëve që kanë pasur interesim për vaksinat nuk ka qenë i madh. Mirëpo, kohën e fundit është shtuar jashtëzakonisht shumë edhe për shkak të ndalesave që po bëhen nëpër institucione dhe në kufi. Në anën tjetër, duke e parë edhe rrezikun nga kjo pandemi kërkesat e qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha. Deri më tash, vetëm në Han të Elezit janë vaksinuar më tepër se 5 mijë qytetarë, do të thotë më shumë se 5 mijë doza, ku gjysma e më shumë janë të vaksinuar me dy doza”, ka thënë Suma.

Ai ka thënë se edhe masat e marra nga ekzekutivi për parandalimin e përhapjes së pandemisë po zbatohen në mënyrë të kënaqshme.

“Të gjitha këto masa të marra nga ana e qeverisë jemi të obliguar që t’i respektojmë edhe ne edhe qytetarët. Unë mund të them lirisht që këto masa respektohen në një përqindje jashtëzakonisht të madhe, sepse e kemi prezentë edhe Policinë, por tanimë qytetarët edhe janë vetëdijesuar sepse e kanë parë rrezikun nga kjo pandemi… 100 për qind mendoj se nuk mund të zbatohen, por në masë të madhe zbatohen të gjitha rekomandimet dhe masa që janë ndërmarrë nga qeveria”.

“Ne edhe kështu kemi numër te vogël të policëve. Hani i Elezit ka numër jashtëzakonisht të vogël, para një kohe ka qenë jo më shumë se 23-24 policë, që për një komunë, pavarësisht sa e vogël, është një zonë kufitare dhe është një numër jashtëzakonisht i vogël i policëve dhe ka nevojë që të jetë një numër më i madh”, ka thënë Suma.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë të gjithë po presin muajin tetor që të nisë…