“Sunny Hill’ dhe drama e ndërtuar mbi gjysmë të vërtetë

16 qershor 2022 | 12:02

Gjylieta Mushkolaj

Është vërtetë dëshpruese që Festivali Sunny Hill nuk po mbahet në Prishtinë siç besonim të gjithë, edhe pse një gjë e tillë ishte bërë e ditur një vit më parë, përveç të tjerash edhe në emisionin shumë të shikuar Krasta show! Ky lajm i vitit të kaluar u rilind këto ditë me njoftimin zyrtar nga Sunny Hill kompania ose fondacioni, Sunny Hill Foundation, ose “the Sunny Hill” sh.p.k., biznesi komercial, ose organizata e bamirësisë! Për shumë kënd, krejt njëjtë, por, siç thuhet, djalli është në detaje, e fshehja e detajeve e ndërton gjysmë të vërtetën. Lajmi mbi ikjen e festivalit, ose arratisjen e festivalit u bë, siç e do zakonisht gjysmë e vërteta, dramë. Drama, megjithatë, nuk filloi me këtë gjysmë të vërtetë, “ikje të befasishme.” Ikja e festivalit është vetëm “gjysmë e vërteta” e parë, por jo edhe më e gënjeshtra më qyqare, siç do të thoshte Mark Twain.

Një ‘gjysmë e vërtetë” tjetër, është edhe ARSYEJA e ikjes së Festivalit. Është, vonesa, zhagitja prej një muaji (?!) për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë të Komunës për Festivalin “Sunny Hill!” Lajmi merr përmasa edhe më dramatike e mjegulla sa vjen e rritet! Vonesa dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të 17 hektarëve tokë “e largoi Dua Lipën nga Prishtina!” Festivali është ngjarje, e ngjarja nuk aplikon për tokë. Aplikon individi, ose biznesi, ose ndonjë organizatë tjetër. Aplikon organizatori i Festivalit! Nuk është dëgjuar ndonjë herë, në ndonjë vend që organizatori i ndonjë festivali në botë të aplikojë për dhënien e tokës në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh, por kjo është një çështje krejt tjetër. Çështja është te organizatori, Fondacioni ose Sh.P.K.-ja!

Për publikun e gjerë, organizator i festivalit është “Sunny Hill Foundation!” Kështu thotë faqja e përditësuar e Wikipedia-s! Kështu është prezantuar shumë herë Festivali edhe nga vet Dua Lipa, atëherë kur me entuziazëm e njoftonte botën për këtë ngjarje që pa ekzagjerim është bërë krenaria e Prishtinës! Dua Lipa e kishte prezantuar “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa.”

Megjithatë, sipërfaqen prej 17 hektarësh për të organizuar këtë Festival, nuk e ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës “Sunny Hill Foundation!” 17 hektarë tokë i ka kërkuar një entitet krejt tjetër, The Sunny Hill SH.P.K., një biznes i regjistruar si Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku emri i Dua Lipës nuk figuron fare!!!

Kontrata për dhënien në shfrytëzim të sipërfaqes prej 17 hektarësh është votuar nga Kuvendi komunal, bazuar në perceptim, për të mos thënë huti, se toka po i ndahet entitetit “Sunny Hill Foundation,” Festivalit të Dua Lipës! Në të vërtetë, Kontrata, askund nuk e përmendë entitetin “Sunny Hill Foundation”! Kontrata e votuar nga Kuvendi Komunal për ti dhënë në shfrytëzim prej 99 vjetësh 17 hektarë tokë biznesit The Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën! Kontrata nuk e përmendë askund Dua Lipën!

Këto gjysmë të vërteta, për të mos thënë, si Mark Twain, rrena kaq qyqare, e kanë ndërtuar këtë dramë kaq të madhe, kaq tronditëse, kanë shkaktuar aq dëshpërim, siç rëndom bën secila propagandë! E në këtë rast, nuk mund ta akuzosh askënd për rrenë, se shumë lehtë mund ti ikësh përgjegjësisë për manipulim me të vërtetën nga mosdija.

Sidoqoftë, festivalet më të rëndësishme të muzikës, mund të organizohet qoftë nga fondacionet e bamirësisë, apo nga korporatat dhe individët me qëllim përfitimi vetanak. Që të dyja janë të ligjshme. New Orleans Jazz and Heritage Festival, ku kanë performuar yjet si Stevie Wonder, e që sjellë fitim prej 400 milion dollarësh është Fondacion bamirës; Coachella, festivali ndër më të mëdhenjtë në botë, ku ka performuar Lady Gaga është gjithashtu bëmirës; Summerfest, ku ka performuar Paul McCartney e Bob Dillan është organizatë e bamirësisë, e lista është e gjatë, shumë e gjatë e festivaleve të bamirësisë…Në festival të tilla, të organizuara nga Fondacione bamirëse, merr pjesë edhe vet Dua Lipa. Në fund të këtij muaji, për shembull ajo do të këndoj në Festivalin Roskilde, që e organizon një Fondacion qind për qind bamirës.

Edhe festivalet pronë e korporatave e individëve, janë në rregull. Festivali Glastonbury, si festivali më i rëndësishëm britanik, është i tillë.  Emrat më të mëdhenj të muzikës, përformojnë në atë festival, madje për pagesë shumë më të vogël se zakonisht. Festivali është ngjarje madhështore e kulturës dhe sjell fitime të mëdha, por edhe e ka një veçori, se zhvillohet në Worthy farm, që është pronë private e organizatorit e jo e falur nga komuna. Edhe pse biznes, që paguan taksa dhe zhvillohet në pronë të vet, Festivali Glastonbury, gati gjithë fitimin e jep për kauza të mëdha, e mbështet financiarisht organizatën Oxfam, që në tridhjetë vjetët e fundit bën punë të rëndësishme humanitare edhe te ne dhe lëvizjen GreanPeace, që vepron globalisht për parandalimin e ndryshimeve klimatike.

Përkundër kësaj, kushdo qoftë organizator i Festivalit Sunny Hill dhe sido që të vendosë Komuna për dhënien në shfrytëzim prej 99 vjetësh të sipërfaqes prej 17 hektarësh tokë, procesi nuk guxon të mbetet në mjegull. Vendimet nuk guxojnë të mbështeten në gjysmë të vërteta. Transparenca duhet të jetë e plotë dhe përfundimisht, nëse një kontratë e tillë bëhet, duhet ta dimë se kujt ia dhuron Komuna e Prishtinës në shfrytëzim prej 99 vjetësh sipërfaqen prej 17 hektarësh tokë — “Sunny Hill Foundation,” si “organizatë bamirëse e themeluar në Prishtinë-Kosovë, nën patronazhin e këngëtares/kantautores shqiptare britanike Dua Lipa, ” ose, biznesit privat the Sunny Hill SH.P.K, me një pronar të vetëm, Dukagjin Lipën!  Dhe, një kontratë të këtillë, shumë të mundshme pas këtij dëshpërimi të madh,  prej 17 hektarësh tokë për shfrytëzim 99 vjet, Komuna e Prishtinës, të plotë, duhet ta bëj publike në shqip e në anglisht, për ne dhe për të gjithë ndërkombëtarët dashamirë, që bashkë me ne, janë zhgënjyer e mërzitur që këtë vit mbetëm pa Festival.

Për këtë verë, në Prishtinë do të mjaftohemi me MANIFESTA!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Imer Rusinovci Dje në moshën 92-vjeçare u nda nga…