Lamtumirë profesor Osman Kraja

16 qershor 2022 | 11:55

Nga: Imer Rusinovci

Dje në moshën 92-vjeçare u nda nga jeta profesor Osman Kraja, një nga personalitetet me kontribute shumë të rëndësishme në arsimin e lartë universitar. Për mua në veçanti, por dhe për të gjithë studentët shqiptarë që patëm fatin ta njohim dhe të bashkëpunojmë me profesor Osman Krajen, ishte një fat, një përvojë e vyer dhe një shkollë e paharruar.

Profesor Osmanin do ta mbajmë mend për karakterin e tij të fortë, integritetin, njohuritë e thella, bashkëpunimin e pakursyer dhe kontributin e madh që dha nga Universiteti i Tiranës për Universitetin e Prishtinës. Janë të rralla sot figura të tilla kaq shumë komplekse e kaq të kompletuara, me integritet kaq të lartë që po i ikin panteonit të shkencës shqiptare. Edhe pse lindi dhe e zhvilloi aktivitetin e tij në periudha kohore thellësisht të ndryshme, ai arriti të ishte gjithnjë përtej kohës së tij, duke përcjellë tek ne gjithmonë të ardhmen dhe besimin se nesër do të jetë ndryshe dhe më mirë.

Ndejta shumë me profesor Osmanin, i cili me një kujtesë të jashtëzakonshme bënte një analizë të shpejtë e të saktë të rrjedhave të arsimit të lartë, duke më habitur gjithmonë me koherencën dhe thellësinë e mendimit që kishte. Profesor i dashur, nota ime për Ju është ekselente, në respekt të gjithë jetës tënde të palodhur, në respekt të fjalës me peshë, si një nga korifenjtë që do t’i mungoj arsimit të lartë universitar në gjuhën shqipe.

Mirënjohje pakufi për gjithçka që bëre nga Republika e Shqipërisë edhe për studentët e Republikës së Kosovës, profesori ynë i nderuar. Shumë pak njerëz, kishin madhështitë tuaja, qoftë intelektuale apo morale. Porositë dhe këshillat tuaja do të qëndrojnë gjithmonë. Ju keni lënë gjurmë që shumë prej nesh aspirojmë t’i ndjekim. Të lutem prano simpatinë dhe respektin tim të përzemërt. Lamtumirë i dashur profesor dhe personalitet i çmuar. Për mua do të ngelesh model frymëzimi për botën universitare.

Pusho në paqe profesor, dijetar, erudit dhe doajen i shquar, Osman Kraja!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Adem Grabovci, ka…