Super e Marta II çimenton rolin udhëheqës të mikut tonë Joseph Biden

11 mars 2020 | 11:33

Bujar Berisha

Nëse sistemi demokratik amerikan është një nga më të mirët në botë, atëherë garat për shërbyes publikë në këtë vend thjesht janë një simfoni për demokracinë.
Super e Marta II, përveç që ishte domethënëse për ish-nënpresidentin Joseph Biden, ajo e çimentoi pozicionin e tij si lider i padiskutueshëm i Partisë Demokratike në zgjedhjet e kësaj vjeshte për president të vendit. Shtete nga Jugu, Veriu, dhe Perëndimi morën pjesë, por qershia mbi tortë ishte shteti i Michiganit ku socialisti Bernie Sanders shpresonte ta ndalojë Bidenin. Shigjetat u thyen në këtë shtet por Bideni fitoi bindshëm dhe kështu mundësitë e Sandersit për të vazhduar më tej janë zvogëluar dukshëm. Bideni fitoi si para një jave shumicën absolute të shteteve – kësaj radhe me një përqindje më të madhe.
Që nga java e kaluar dy kandidatët bënë një luftë të vërtetë duke përdorur “Twiter-in” si fushëbetejë.
Risi interesante në këtë fushatë është se Bideni po shënon fitore me përqindje më të larta sesa Hillary Clinton para 4 vjetësh.
Në fakt, Bideni është duke e zgjeruar bazën e votuesve ku përveç përkrahësve të flaktë afro-amerikanë, përkrahësit e rinj janë qytetarët me shkollim superior,banorët ndërurban dhe punëtorët.
Një nga këshilltarët e Bidenit i gëzuar deklaroi se “ja kështu do fitojë Bideni në nëntor”, duke aluduar në faktin se dita – ditës është duke u zgjeruar përkrahja nga të gjitha shtresat e shoqërisë.
Që nga fushata e vitit 2004, asnjë kandidat nuk ka fituar aq bindshëm, aq shpejt në një kohë të shkurtër. Ky fakt e vendos atë në një pozitë të favorshme për garën e nëntorit kundër Trumpit.
Matematika është renditur kundër Sandersit, dhe gjasat janë minimale që ai të bëjë një mrekulli. Por, ai do e provojë që të kthehet në lojë në debatin kundër Bidenit këtë të diel. Gjasat janë që ai të mos shkojë në debat sepse për befasinë e publikut ai nuk u foli përkrahësve të tij.
Realiteti ka filluar që t’i sundojë përkrahësit e Sandersit dhe mu sonte pas rezultateve bindëse në favor të Bidenit ata filluan që të rreshtohen pas tij.
Është çështje kohe kur ish-presidenti Obamado të përkrahë publikisht Bidenin.
Demokratët e përshkruajnë presidentin Trump si “kërcënim ekzistencial për kombin”, dhe në këtë vijë u deklarua kandidati Biden duke u folur përkrahësve të tij. Ai në Filadelfia deklaroi se Trumpi me moton e tij “Së pari Amerika”, e bëri vendin që të jetë i vetmuar në botë, dhe se rregulli botëror duhet që të riparohet. Ai po ashtu deklaroi se fitorja nënkupton bashkimin e amerikanëve.
Bideni foli edhe për bashkimin e partisë dhe i ofroi Sandersit dhe përkrahësve të tij degën e ullirit.
Shpresat nga kampi i Trumpit se para tyre në vjeshtë do kishin një kandidat socialist dhe një fitore të lehtë u shuan. Ata do të rikalibrojnë fushatën ndaj Bidenit, e cila do të jetë më e vështirë. Joseph Bideni vjen nga një familje e klasës punëtore nga qyteti Scranton i Pensillvanisë, një shtet kritik për të dyja palët. I takon spektrit të qendrës së majtë dhe ka gjasa që në vjeshtë t’i fitojë republikanët e moderuar të cilët nuk e përkrahin Trumpin. Po ashtu, afër Pensillvanisë janë shtetet kritike për të dyja palët si Michigan, Ohio, dhe Illinois ku afiniteti për Bidenin ekziston dekada me radhë. Në lojë është edhe koronavirusi, i cili është duke e dëmtuar ekonominë e vendit dhe duke i dëmtuar gjasat e Trumpit për t’u rizgjedhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në të gjithë Shqipërinë janë mbyllur gjatë mbrëmjes së djeshme…