SURPRIZA

02 qershor 2025 | 08:41

David Lodge

“Ta them prapë, të dua,” tha z. Pitt, duke goditur tavolinën. “S’mund të vazhdoj pa ty. S’e kam ditur se si është pa ty derisa u largove. Në shtëpi gjithçka shkon keq. Nuk është vendi i njëjtë më. Të gjitha gjërat më janë ngatërruar prapë. Duhet të kthehesh. Eja, kthehu. E dashura Becky, kthehu.”

“Të kthehem – si çfarë, zotëri?” gulçoi Rebeka.

“Nëse dëshiron, kthehu si Lady Crawley” tha Baroni, duke kapur kapelën e tij të rrudhosur. “Ashtu! a të pëlqen kjo? Kthehu dhe bëhu gruaja ime. Je më se e duhur. Është e desti­nuar kështu. Ti je zonja më e mirë që e kam parë ndonjëherë. Ti ke më shumë tru në gishtin tënd të vogël se gruaja e çdo baroni në qark. Do të kthehesh? Po apo jo?”

“Oh, zotëri Pitt!” tha Rebeka, shumë e prekur.

“Thuaj po, Becky,” vazhdoi z. Pitt. “Unë jam plak, por jam mirë. Jam në rregull edhe për njëzet vjet. Do të të bëj të lumtur, shiko nëse nuk e bëj. Bëj çfarë të duash; shpenzo sa të duash, siç do ti. Do të bëjmë marrëveshje. Gjithçka do të jetë zyrtare. Shih!” plaku ra në gjunjë dhe e përgjonte si një satir.

Rebeka mbeti e shtangur. Përgjatë kësaj historie kurrë nuk e kemi parë që ajo ta humbiste mendjen; por kjo ndodhi tani dhe ajo qau me lotët më të sinqertë që i pikuan ndonjëherë nga sytë.

“Oh, zotëri Pitt!” tha ajo. “Oh, zotëri – Unë – Unë jam e martuar tashmë.”

WILLIAM MAKEPEACE THACKERAY Panairi i kotësive (1848)

SHUMË RRËFIME përmbajnë elemente të surprizës. Nëse e parashikojmë çdo kthesë në intrigë, ajo s’do të na tërheqë. Por, kthesat duhet të jenë edhe bindëse edhe të paparashikueshme. Këtë efekt Aristoteli e quajti peripetia, ose përmbysje, ndërrim i papandehur i ngjarjeve, që shpesh kombinohet me “rinjohjen”, apo kalimin prej padijes në dije. Shembulli i Aristotelit ka të bëjë me skenën te Edipi Mbret, ku lajmëtari që vjen ta ngushëllojë heroin mbi prejardhjen e tij, në fakt ia zbulon se ka vrarë të atin dhe është martuar me të ëmën.

Nëse e ritregojmë një storje të njohur si ajo e Edipit, surpriza do të përjetohet nga personazhet, por jo edhe nga publiku, për të cilin efekti kryesor është ironia (shih kapitullin 39, më poshtë). Megjithatë, romani, ndryshon nga të gjitha format e mëher­shme narrative sepse ai zotohet (ose pretendon) të rrëfejë storje krejtësisht të reja. Prandaj, shumica e romaneve, në lexim të parë, kanë të ngjarë të na befasojnë, ndonëse disa na befasojnë më shumë se të tjerët.

Thackeray arriti të fusë disa surpriza në këtë skenë të Panairit të kotësive. Becky Sharp, guvernate e vobektë dhe jetime, habitet kur baroni i propozon martesë; Z. Pitt Crawley dhe lexuesi befasohen kur zbulojnë se ajo është martuar tashmë. Thackeray përfiton edhe më shumë nga kjo situatë. Siç e vërejti Kathleen Tillotson në librin Romanet e viteve 1840, ky fragment, që mbyll Kapitullin XIV të romanit, gjendej në fund të numrit katër të botimit origjinal serik. Prandaj, lexuesit e parë do të kenë mbetur në suspansë për ca kohë (sikur shikuesit e melodramave televizive moderne) mbi identitetin e burrit të Becky-t. Një analogji që mund t’u ketë ndodhur bashkëkohësve të Thacke­ray-it do të ishte fundi i një akti në dramë. Skena e plakut të shthurur në gjunjë përpara gruas së re e të bukur dhe të shqe­tësuar, në thelb është teatrale, dhe “Oh, zotëri – Unë –unë jam e martuar tashmë” e Becky-t është fjali klasike e fundit të aktit, që garanton gumëzhimin e audiencës në pushi­min ndërmjet dy akteve.

Kapitulli pasues merret me pyetjen se me kë është martuar Becky por përgjigjja nuk jepet menjëherë. Gjysmë-motra e Z. Pitt, Miss Crawley, hyn në dhomë dhe gjen vëllanë e saj në gjunjë përpara Becky-t, dhe ajo habitet, sidomos kur mëson se propozimi është refuzuar. Deri në fund të kapitullit, Thackeray nuk e zbulon se Becky është martuar fshehurazi me nipin e Znj. Crawley-it, oficerin e kalorësisë, dorëlëshuarin, Rawdon Craw­ley.

Efekti i tillë kërkon përgatitje të kujdesshme. Ashtu si një grumbull mjetesh piroteknike, ku fitili me djegie të ngadaltë në fund ndez një varg të shpejtë shpërthimesh spektakolare. Lexu­esit duhet t’i jepet informacion i mjaftueshëm që zbulimi të jetë bindës, me kohë, por jo aq sa lexuesi ta anticipojë kollaj. Thackeray fsheh informacione, por nuk mashtron. Ai përdor mjaft fjalë në këtë pjesë të rrëfimit që heshtja jo karakteristike e narratorit të duket sa më e natyrshme.

Më herët në storje tregohet se Becy-it të varfër i dështoi për­pjekja të martohet me vëllanë e të shoqes, Amelisë. Ajo dety­rohet të punojë si guvernante e dy vajzave të z. Pitt që i kishte me gruan e dytë të sëmurë. Në selinë e Queen’s Crawley, Becky bëhet e pazëven­dësueshme për baronin koprrac dhe të pag­dhendur por edhe për gjysmë-motrën e tij, lëneshën e pasur. Zonjusha Crawley e pëlqen aq shumë Becky-n, saqë insiston që ajo të kujdeset për të në shtëpinë e saj në Londër, sepse ishte e sëmurë. Z. Pitt me gjysmë zemre pranon ta lirojë Becky-n meqë nuk dëshiron ta rrezikojë trashëgimin e Znj. Crawleypër vajzat e tij; por kur i vdes gruaja (ngjarje ndaj së cilës të gjithë perso­nazhet janë indiferentë) ai detyrohet ta kthejë Becky-n në Queen’s Crawley me çdo çmim, madje edhe me martesë. Znj. Crawley e vëren këtë rrezik –edhe pse i pëlqen shoqëria e Becky-t, ajo s’ka dëshirë ta mirëp resë në familje – dhe heshtazi inkurajon nipin e saj ta joshë Becky-n, t’ia pamundësojë asaj të bëhet Zonja e tretë Crawley. Rawdon-i duke u martuar me të, përkundrazi vepron me nder, edhe pse në mënyrë të pamatur. Personazhet e tjerë veprojnë krejtësisht sipas lloga­ritjeve dhe interesit vetjak, dashuria dhe vdekja për ta janë thjesht peng në kërkim të pasu­risë dhe statusit.

Ironia e Thackeray është e pamëshirshme. Becky është “shumë e prekur”, lotët e saj për here të parë janë të vërtetë – por pse? Ajo u martua me budallain Rawdon duke shpresuar se ai do të trashëgojë pasurinë e tezes së tij, për të zbuluar se asaj i humbi një çmim shumë më i madh dhe më i sigurt: të jetë gruaja e baronit dhe sipas gjasës, shpejt, një trashëgimtare (deklarimi i tij se “jam në rregull edhe për njëzet vjet” është së tepërmi optimist dhe sigurisht aspak i dëshi­rueshëm për Becky-n). Kjo skenë përfiton jashtë­zakonisht nga karakterizimi komik i z. Pitt, për të cilin narratori më herët thotë, “në gjithë baronecinë, fisni­kërinë, komunitetin e Anglisë nuk kishte plak më dinak, të poshtër, egoist, budalla e të pandershëm”. Në imazhin e përu­ljes së tij ndaj Becky-t si satir, Thackeray shkon aq larg sa ia lejonte kufizimi viktorian, duke lënë të kuptohet se z. Pitt nuk shkon përtej interesit brutal seksual për Becky-n. Fakti se ajo duhet të qajë për humbjen e një burri të tillë është vërejtje mje­ruese jo vetëm për të, por për të gjithë mjedisin e Panairit të kotësive.

Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 23 i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MUSA RAMADANI DASHURIA DHE DIÇ TJETËR   Së pari  …