Surroi tha se “Sejdiu është dashur ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë”, Çitaku: Urrejtja ta humb arsyen, të paska mbetur meraku pse Thaçi
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar publicistit Veton Surroi, i cili tha dje në një podcast të tij se në cilindo rast, Fatmir Sejdiu është dashur ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Veton Surroi paska thënë që Fatmir Sejdiu do të duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Pastaj paska shtuar se, po të ishte shpallur dy muaj më herët apo më vonë, do të ishte dikush tjetër. Pra, krejt meraku i tij paska mbetur pse Hashim Thaçi. Po ua rikujtoj pse. Kam pasur nderin të udhëheq komisionin ndërinstitucional që ka bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë. Ka gjëra që ende janë të klasifikuara dhe nuk mund të fliten për shkak të ndjeshmërisë së procesit, por po ndaj me ju ato që mund të thuhen”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Postimi i plotë i saj:
Urrejtja verbon dhe ta humb arsyen.
Veton Surroi paska thënë që Fatmir Sejdiu do të duhej ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Pastaj paska shtuar se, po të ishte shpallur dy muaj më herët apo më vonë, do të ishte dikush tjetër. Pra, krejt meraku i tij paska mbetur pse Hashim Thaçi.
Po ua rikujtoj pse.
Kam pasur nderin të udhëheq komisionin ndërinstitucional që ka bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e pavarësisë. Ka gjëra që ende janë të klasifikuara dhe nuk mund të fliten për shkak të ndjeshmërisë së procesit, por po ndaj me ju ato që mund të thuhen.
E para, çdo hap dhe çdo detaj i asaj dite, nga teksti i Deklaratës së Pavarësisë deri tek përmbajtja e koncertit të Filharmonisë së Kosovës, nuk ka qenë rastësor. Çdo gjë është kuruar me shumë kujdes dhe në koordinim të ngushtë me juristë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Ne kemi qenë të vetëdijshëm se ishim nën lupën e kundërshtarëve të Kosovës dhe çdo devijim, sado i vogël, mund të përdorej si argument kundër nesh nga Serbia në Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Po, kishim informacion të saktë nga aleatët tanë se Serbia do të bënte padi.
Në pikën e parë të Deklaratës së Pavarësisë thuhet:
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.”
Ky formulim nuk është i rastësishëm. Ka qenë ndër argumentet kyçe të mbrojtjes sonë në GJND.
Hashim Thaçi nuk e ka fituar “lotarinë” për ta shpallur pavarësinë. Ai e ka marrë mandatin nga qytetarët dhe në atë sallë ka qenë lideri më i votuar. Edhe skenari i seancës së Kuvendit është ndërtuar me kujdes të jashtëzakonshëm dhe në koordinim me juristë amerikanë.
E dyta,
Hashim Thaçi fatin e tij e ka shkruar vetë. Edhe kur ka veshur uniformën e UÇK-së. Edhe kur ka kaluar kufirin Kosovë–Shqipëri në këmbë dhjetëra herë. Edhe kur ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në Rambuje. Edhe kur ka shpallur pavarësinë atë ditë të ftohtë shkurti.
Hashim Thaçi fatin e ka ndërtuar vetë. Me guxim dhe me vizion. Nuk e ka dhuratë nga askush.
#LiriaKaEmër



