
Sveçla: Asnjë shqiptar nga Presheva, Bujanoci e Medvegja nuk janë pranuar në Policinë e Serbisë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ndërsa në Policinë e Kosovës inkuadrohen pjesëtarë nga komuniteti serb, në konkursin e fundit të Policisë së Serbisë, nuk është pranuar asnjë shqiptar.
‘10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet”, shkroi Sveçla në një postim në Facebook.
“Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar. E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar”, shtoi ai.
Kjo, Sveçla tha se “dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre”.
“Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, shkroi ai.