Sveçla: Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu

24 prill 2026 | 15:47

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku dy nga terroristët morën burgim të përjetshëm, ndërsa i treti u dënua me 30 vite burg.

Sveçla përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook” theksoi se ky vendim përbën një moment të rëndësishëm për drejtësinë e Republikës së Kosovës.

Ai nënvizoi se dënimet maksimale duhet të vlejnë për të gjithë të përfshirët, duke përfshirë pjesëtarët e një rrjeti më të gjerë prej 45 personash të identifikuar.

Postimi i plotë i tij:

Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.
Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.
Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.
Dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë.
Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.
Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe njëherësh edhe kryeparlamentare, Albulena…