Sveçla në pritjen e gazetares ukrainase vetëm dy ditë pasi që e ofendoi gazetaren kosovare

17 prill 20:06

Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka pritur gazetaren e parë ukrainase në Kosovë. Duke premtuar që Kosova do të ofrojë kushte të përshtatshme pune dhe jetese për gazetaren dhe kolegët e saj, Kurti e ka pritur me buqetë lulesh Lyudymyla Makey-n.

Megjithatë, ajo që ra në sy ishte edhe prania e Minsitrit të Brendshëm Xhelal Sveçla në këtë pritje. Prezente në këtë takim ishte gjithashtu edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Sveçla ka qenë protagonist i ditëve të fundit për shkak të sulmeve në pjesën veriore mbi Policinë e Kosovës nga individë të paidentifikuar, që dyshohet se vinin nga pjesa e territorit serb.

Megjithatë, në njërën prej konferencave, Sveçla bëri një gabim për të cilin nuk ka kërkuar falje e as nuk ka shfaqur pendesë ende. Kur iu bë një pyetje nga gazetarja e portalit Periskopi lidhur me punësimin e një familjareje të tij, Sveçla reagoi në mënyrë të papërshtatshme, duke thënë se ajo po merrej me budallallëqe.

“Ne po flasim për sulme terroriste këtu e ju po flisni për budallallëqe”, tha Sveçla në reagimin e shpejtë ndaj gazetares, pas të cilit mori shumë kritika si dhe një reagim nga AGK.

Papritur, Sveçla shfaqet si mikpritës i gazetarëve ukrainas vetëm dy ditë pas ofendimit publik, nga pozicioni zyrtar i tij, ndaj një gazetareje të vendit.

Pyetja që shkon veçanërisht për Kryeministrin Kurti është: A është Sveçla ministri i duhur për ta pasur në krah për një pritje të tillë vetëm dy ditë pas ofendimit të bërë një gazetareje?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur sot në zyrën…