
Sveçla takon Escobarin në ShBA, ja për çfarë biseduan
Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është pritur në takim nga zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Gjatë këtij takimi, Sveçla e ka falënderuar Escobarin për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite. Po ashtu, Sveçla ka theksuar nevojën për të forcuar më tej aleancën me ShBA-në në fushat me interes të përbashkët.
Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu është diskutuar edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.
Escobari ka shprehur mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së ShBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.
Në fund të takimit, ata janë pajtuar që ta intensifikojmë edhe më tutje bashkëpunimin mes dy të vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë.